Ka ndërruar jetë një tifoz i Interit, i përplasur nga një furgon i errët, para ndeshjes të së mërkurës në “San Siro” me Napolin. Lajmi është konfirmuar nga Kuestura dhe bëhet fjalë për Daniele Belardinelin, një 35-vjeçar nga Vareze që në të kaluarën ishte pezulluar për 5 vjet, për të mos shkuar në stadium. Tifozi i Varezes, e binjakëzuar me Interin, është goditur për vdekje pranë stadiumit gjatë përleshjeve, ku janë përfshirë rreth 60 persona. Në këto përleshje kanë marrë plagë me thikë edhe 4 tifozë të Napolit.
“Pak para ndeshjes, një autobus me ultras të Napolit është sulmuar nga rreth 100 tifozë të Interit, Varezes dhe Nicës, – ka bërë me dije kuestori i Milanos, Marçelo Kardona, në konferencë shtypi. – Tifozët e Interit kanë goditur me sende të forta, hekura dhe shkopinj, gjysmën e tifozëve napoletanë. Kolona është bllokuar në atë moment ka pasur një përleshje masive. Në të njëjtën kohë, në krahun e kundërt, një furgon ka goditur 35-vjeçarin. Personi që ishte në timon nuk është identifikuar ende dhe ndoshta ai nuk ka kuptuar asgjë për incidentin. Të parët që kanë tërhequr vëmendjen për gjendjen e 35-vjeçarit, ishin tifozët e Napolit, më pas ata të Interit e kanë çuar me makinë në spital, ku ai ndërroi jetë.”
Kuestori bëri të ditur gjithashtu se janë arrestuar dy persona fillimisht, më pas edhe një i tretë. Aktualisht, organet kompetente po punojnë në bazë të pamjeve filmike të marra nga kamerat e sigurisë, ku shfaqet edhe furgoni i errët. Sulmi ndaj Belardinelit nuk është bërë nga fansat që ishin në autobusin me ultrasit napoletanë. Pritet të merren masa të forta nga organet kompetente për tifozët e Interit dhe propozimi i kuestorit Kardona është për ta mbyllur menjëherë sektorin e ultrasve zikaltër.
Ka reaguar për ngjarjen e rëndë edhe Ministri i Brendshëm i Italisë, Mateo Salvini, i cili në Tuiter ka shkruar: “Në vitin 2018 nuk mund të vdesësh për një ndeshje futbolli. Në fillim të vitit të ardhshëm do të thërras përgjegjësit e tifozërive dhe të klubeve të Serisë A dhe Serisë B. Stadiumet duhet të jenë vende zbavitjeje dhe jo dhune”.