Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar Kosovën për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku nga numërimi i votave deri tani, rezulton fitues Albin Kurti i Vetëvendosjes dhe në vend të dytë Vjosa Osmani nga LDK.
Meta thotë se me zgjedhjet e së dielës, Kosova tregoi që është një demokraci në rritje dhe është një shembull i besimit tek vota e lirë.
“Zgjedhjet e djeshme në Kosovë, një shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë dhe i besimit te demokracia dhe vota e lirë. Urime qytetarëve të Kosovës dhe klasës politike, që i treguan mbare botës se shteti i Kosovës është jo vetëm tërësisht funksional, por edhe një shembull i demokracisë në rritje, në një rajon që ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira, si ato që e gjithë bota ndoqi dje në Kosovë”, shkruan Presidenti Ilir Meta në Facebook.
PDK e Kadri Veselit pranoi humbjen në këto zgjedhje, duke u larguar nga pushteti pas rreth 12 vitesh. Edhe AAK e Ramush Haradinajt rezultoi humbëse. Pavarësisht fitores së Vetëvendosjes, Albin Kurti do të duhet të krijojë koalicion për formimin e qeverisë.