Akademia Suedeze vendosi që t’ua ndajë çmimet Nobel për Letërsi dy personaliteteve të njohura në botën e shkronjave.
Vendimi për ta shpërblyer shkrimtaren polake Olga Tokarczuk u mirëprit. Ndërsa vendimi për t’ia ndarë këtë çmim autorit austriak, Peter Handke, ngjalli reagime të shumta nëpër botë.
Kjo për shkak se shkrimtari Peter Handke nuk e kishte fshehur simpatinë që ka pasur për ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviç (i njohur si Kasapi i Ballkanit).
Madje Handke kishte qenë edhe në funeralin e Millosheviçit, ku kishte mbajtur një fjalim të shkurtër.
“Jam i lumtur të jem afër Sllobodan Millosheviçit, që mbrojti popullin e tij”, pati thënë ai në Sheshin e Lirisë në Pozharevc.
“Hajvani i vitit”
20 vite para se të bëhej një laureat i çmimit Nobel për paqen, Peter Handke fitoi një tjetër çmim. Në 1999, shkrimtari Salman Ruzhdie, e shpalli atë “Hajvani i vitit” në një artikull të “The Guardian”, për apologjitë mallëngjyese ndaj regjimit të Slobodan Millosheviç.
Dramaturgu austriak, trashëgimia sllovene e të cilit e ka frymëzuar nacionalizmin e zjarrtë, ka sugjeruar publikisht se myslimanët e Sarajevës kanë masakruar veten dhe ka mohuar gjenocidin e Srebrenicës.
7 vjet pas kritikave të Ruzhdie, në 2006-n mori pjesë varrimin e Milosheviçit. Të enjten, pas njoftimit për fitoren e Handke, autori i shumë vlerësuar i ‘Vargjeve Satanike’, tha për “The Guardian”, se i qëndronte besnik shkrimit të 20 viteve më parë.
Vendimi për të vlerësuar Handke bashkë më polaken Olga Tokarshuk, po kritikohet nga analistë e shkrimtarë nga i gjithë globi. Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, në një letër drejtuar Akademisë së Çmimit Nobel, shprehu indinjatën e saj, duke e quajtur Handken një eksponent të shquar të ideve fashiste.
Kritika nga gjithë bota
Përveç reagimeve që ngjalli në Kosovë, kjo ngjarje nuk iu shpëtoi as mediave ndërkombëtare.
Korporata Britanike e Transmetimeve, BBC News, e quan shkrimtarin Handke një figurë kontroverse i cili e mbështeti regjimin serb për luftërat Jugosllave gjatë viteve 1990.
Shoqata e Shkrimtarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dalë me një komunikatë përmes së cilës ka kritikuar dhënien e çmimit Nobel për Letërsi, shkrimtarit Peter Handken.
“PEN Amerikan, përgjithësisht nuk i komenton çmimet për letërsi që i japin institucionet e tjera. Ne e dimë që këto vendime janë subjektive dhe kriteret nuk janë uniforme. Megjithatë, kjo deklaratë për dhënien e çmimit Nobel për Peter Handke duhet të jetë një përjashtim”.
Gazeta britanike, The Guardian, shkruan se trashëgimia sllovene i kishte ngjallur dramaturgut austriak një nacionalizëm të zjarrtë për luftërat në Ballkan.
“Ai kishte thënë publikisht se myslimanët e Sarajevës e kishin masakruar veten e tyre dhe pastaj kishin fajësuar serbët. Ai gjithashtu kishte marrë pjesë në funeralin e kriminelit Sllobodan Millosheviç”.
Ndërsa gazeta online, The Intercept, e cila synon t’i mbajë përgjegjëse qeveritë dhe korporatat nëpër botë, e ka uruar Komitetin Nobel për vendimin e marrë duke thënë se “ju vetëm sapo i dhatë Çmimin për Letërsi një mbështetësi të gjenocidit”.