Kryesore “Mjeshtri i pajtimit”, Kryeministri i Etiopisë fiton Çmimin Nobel për Paqen

“Mjeshtri i pajtimit”, Kryeministri i Etiopisë fiton Çmimin Nobel për Paqen

Ahmed u vlerësua me çmimin prestigjioz të Akademisë Suedeze për përpjekjet e tij për arritjen e paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Kryeministri më i ri në Afrikë është konsideruar edhe si mjeshtri i pajtimit spektakolar midis vendit të tij dhe Eritresë
”Abiy u vlerësua për përpjekjet e tij për paqen dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar”, tha presidenti i komitetit norvegjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen.

Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed u shpall fitues i çmimit Nobel për paqe për vitin 2019.
Komiteti norvegjez i Nobelit, tha se ky çmim ju nda kryeministri Abiy Ahmed Ali për shkak të përpjekjeve të tij për paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar dhe posaçërisht për “nismën e tij vendimtare për zgjidhjen e konfliktit kufitar me Eritrenë fqinje”.
Etiopia dhe Eritrea, armiq të vjetër që ishin përfshirë në një luftë kufitare nga vitit 1998 deri në vitin 2000, rivendosën marrëdhënie në korrik të vitit 2008 pas shumë vjetësh armiqësie.

Abiy Ahmed 43 vjeçar është kryeministri më i ri në Afrikë. Çmimi prej 900 mijë koronash norvegjeze, afërsisht 900 mijë dollarë amerikan, do t’i dorëzohet atij në Oslo më 10 dhjetor.

Zyra e zotit Abiy e citoi atë të ketë thënë se “jemi krenar si komb” për çmimin e së premtes.

301 kandidatë ishin nominuar për çmimin Nobel të këtij viti, duke përfshirë këtu 223 individë dhe 78 organizata. Mes kandidatëve ishte dhe aktivistja për çështjet e klimës Greta Thunberg, bashkëshortja e aktorit të njohur George Clooney, Amal, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ish kryeministri grek, Aleksis Tsipras.

Debatet për Nobelin

Çmimi Nobel është ndarë gjatë javës edhe për kategori të tjera dhe të enjten Akademia Suedeze nxiti reagime të ashpra me vendimin e saj që çmimin Nobel për letërsi për vitin 2019 t’ia ndajë autorit kundërthënës austriak Peter Handke, i cili qe bërë i njohur me qëndrimet e tij kundër fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe në vitin 1999, që u dhanë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Ai kishte mbajtur fjalim në mars të vitit 2006 në funeralin e ish presidentit serb Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në Hagë derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën.

Çmimi Nobel mori emrin nga zbuluesi i dinamitit, Alfred Nobel, që ishte edhe themelues i tij dhe është ndarë që nga viti 1901 për arritjet në shkencë, letërsi dhe paqe, sipas amanetit të tij.