Nga Raimonda MOISIU
Korça ime/jonë përjetoi në një ceremoni mbresëlenëse dhe e organizuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Ilir Meta dhe Kryetari i bashksë Korçë z. Sotiraq Filo, të cilët vlerësuan e dekoruan disa sportistë të shquar të qytetit ndër vite; Tamara Nikolla Tanellari, Pavlina Evro Ylli, Dhimtraq Xhambazi, Piro Kasati, Koço Dinella, dhe Zamira Koleci, shkrimtarin Sterjo Spasse me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: personalitete që morën shpërblimin moral të viteve të tyre të arta. Në këtë tentativën time kësaj here edhe unë autorja e kësaj esseje spontane dëshiroj tu sjell pasazhe interesante, origjinale, informuese, historike e vlerësime dinjitoze të shkruara prej meje dhe të botuara në shtypin shqiptar dhe shqiptaro-amerikan, nëpërmjet intervistave, esseve dhe profileve të këtyre personaliteteve të nderuara. Ndjehem e lumtur dhe krenare, që me shkrimet e mija kam shërbyer denjësisht në vlerësimin e figurave të tilla të krenarisë së Korcës dhe sportit korcar, atij shqiptar, dhe artit e kulturës shqiptare. Por edhe për një arsye tjetër unë kurrë nuk do të lodhem se transmetuari këto vlera, vetveten, ndikimin që kanë këto vlera, me qëllimin e mirë vetëm e vetëm për t’i bërë të njohur dhe integruar, shpirtin intelektual, identitetin dhe krenarinë kombëtare shqiptare dhe identitetin e dijes dhe kulturës korçare. Është detyrimi i eternitetit që kemi ndaj këtyre figurave të tilla.
E kush nuk do të dëshironte sot të kthehej ndër ato vite të shekullit të kaluar, të sillte panoramën- kujtesën mbresëlënëse dhe historike, elitën e shquar të sportit shqiptar, ata që bënë historinë e sportit shqiptar, futbollistët dhe sportistet legjendë dhe heronj të kohës që jetonin, të cilët me inteligjencë, pasion, talent e profesionalizëm, arritën të shkruanin historinë në nivel kombëtar, europian e botëror. Disa prej tyre prehen në Paqen e Amëshura, disa prej tyre janë aty edhe sot –fisnikë e krenarë, idhuj e legjenda, ata janë e do të mbeten figura madhore, jo vetëm për gjeneratën që i përkisnin dhe të ardhmes, por edhe për ata ëndërrimtarët, sportistët e rinj, që dëshirojnë t’iu ngjajnë atyre; që bënë Epokën!
Tamara NIKOLLA Tanellari (mbas vdekjes)
Ndjej dëshirën, forcën e saj, t’i bëja homazh emrit dhe figurës së saj dhe të sjell në kujtesën e kombit shqiptar, të historisë së sportit shqiptar, të mijërave sportdashësve, lexuesve, figurën e volejbollistes së shquar e të talentuar korcare,”Mjeshtres së Merituar”, të sportit, “Nderit të Sportit Shqiptar”, nderit të Korçës sonë, e gjithë Shqipërisë, Tamara Nikolla Tanellari; “Njeriu dhe sportistja e mirë te Tamara Nikolla qenë shkrirë në një. Vlerat e larta morale dhe ato sportive të shkrira po në një. Jeta e saj sportive është sa monumentale, aq e artë për Korcën e saj të dashur, për ekipin e “Skënderbeut”, për historinë e sportit shqiptar që ajo idha aq shumë, ajo është simbol i sportit, në mënyrë të vecantë, i lojërave me dorë.”
Legjenda e Futbollit Shqiptar -SUPERMBROJTËSI -Teodor VASO
Ndër ta është edhe legjenda, ikona e futbollit korcar dhe atij shqiptar-i pakalueshmi,-Teodor Vaso- një figurë sportive dominuese në ndeshjet kombëtare e ndërkombëtare, që i dhanë famën dhe historinë e një futbolli më profesional, spektakolar, historik e mitik të shekullit të kaluar! Teodor Vaso është futbollisti mes më të mëdhenjve futbollistë shqiptarë, që ka njohur ndonjëherë historia e futbollit shqiptar, që me lindjen e tij. Më një karrierë të artë, që përputhet me biografinë e mahnitshme e të pakalueshmit -Teodor VASO. Ka lindur dhe aktualisht jeton në qytetin e Korcës. Është diplomuar në Institutin e Kulturës Fizik “Vojo Kushi” në Tiranë. Trajner dhe Specialist futbolli pa ndërprerje, që nga viti 1972-, -55 vjet aktivitet sportiv. Në dy vitet e fundit, 2012- 2013, në funksionin e të deleguarit të FSHF-së, për ndeshjet në qarkun e Korçës. Kampion kombëtar me ekipin”Partizani”në vitin futbollistik 1963-64 dhe fitues i Kupës së Republikës në atë vit dhe në vitin 1966-ë. Fitues i Kupës Ballkanike me klubet, në 1970 –ën, vecmas me ”Partizanin”. Fitues i anketës 5 Sportistët më Të Mirë të vitit 1967-ë, në përbërje të ekipit kombëtar të futbollit, që eliminoi R.F. Gjermane, në 17-12-1967—ën. “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, dekoruar me “Medaljen e Artë” për merita të shquara në sport’, me rastin e 90 vjetorit të themelimit të Shoqërisë së parë kulturalo- sportive, në Korcë. Medalje e FSHF, me motivacionin për rezultate të larta në ndeshjet e futbollit me ekipet, që ka luajtur brenda dhe jashtë Shqipërisë. Futbollisti “Më i Mirë i Shekullit” për Korçën, në anketën e bërë me rastin e 90 vjetorit në fjalë. Ka luajtur në të gjitha rolet e formacionit futbollistik, me përjashtim të rolit të portierit, në të gjitha ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka shënuar 26 gola duke qenë në role mbrojtëse, dhe ka qenë përfaqësues në 36 ndeshje ndërkombëtare, 18 ndeshje me kombëtaren shqiptare, 15 ndeshje me skuadrën”Partizani dhe 3 me skuadrën Korcare. Në një intervistë ekskluzive, që kam zhvilluar me të, para do kohe – Teodor Vaso rrëfeu historinë futbollistike të jetës së tij, sportit shqiptar dhe të plot kolegëve, që së bashku bënë Epokën e Futbollit shqiptar. Vaso na rrëfeu dritën që ata lanë pas. Pavlina EVRO YLLI E kush nuk do të dëshironte të shkruante për Legjendën e Atletikës Shqiptare –
Pavlina EVRO YLLI dhe historinë e saj. Ajo i përket “muzeut historik të Brezit të Artë” (Golden Generation) të sportistëve dhe bëri HISTORINË –jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë kufijve në Ballkan, Europë e Botë, i dha emër Shqipërisë, Korçës tonë në shumë evenimente kombëtare e ndërkombëtare. Nuk besoj se ka korçar dhe shqiptar që nuk e njeh Legjendën e Atletikës Shqiptare, – Pavlina EVRO-Ylli -Kampione e Europës, me mbi 120 medalje kombëtare e ndërkombëtare. Edhe sot pas 30 vjetësh qëndron në këmbë në atletikën botërore dhe lojërat olimpike, rekordi i vendosur nga atletja shqiptare, Pavlina EVRO-Ylli, – një garë 1500m -3000m, që Pavlina jonë bëri legjendën në Oslo të Norvegjisë, triumfoi dhe valëviti flamurin shqiptar duke na bërë krenarë dhe ndritur emrin e Shqipërisë, në një kohë tejet të vështirë për shkak të regjimit. Ja si shprehet një nga korifenjtë e sportit shqiptar, Prof. Kreshnik TARTARI në një koment në Facebook, për Pavlina Evron: “Kampionët e mëdhenj padyshim që bëhen, por më parë duhet të lindin. Ti me shoqet e tua si ti, me në krye të papërsëritshmin PIRRO KASATI, krijuat më shumë se një shkollë, një akademi unikale në Shqipëri. Mëkat i pafalshëm që s’është më ashtu si gjithë sporti shqiptar. Edhe me volejboll po të ishe marrë do ishe bërë një Kampione e Madhe. Shumë respekt, PAVLINA EVRO, për atë çka ke bërë për Korçën e Shqipërinë.” Në këtë intervistë, “Mjeshtrja e Madhe” e sportit dhe “Qytetare Nderi” e Korçës, Pavlina Evro-Ylli, nuk lë pa kujtuar brezin e artë, që bënë historinë në sportin e atletikën shqiptare, që nga i madhi e papërsëritshmi- Pirro Kasatin, dhe më pas vazhdon; Hanxhara, Menkshi, Marieta Zace,V. Kasati, Cepa, Bushati, Ruci, Laho, Toska, Qiriaqi, Tare, etj.
Basketbollistja e jashtëzakonshme korçare Zamira KOLECI (mbas vdekjes) Basketbollistja korçare Zamira Koleci ishte nderi dhe krenaria e basketbollit shqiptar e korçar, nostalgjia e sportistes që bëri historinë e sportit shqiptar, veçmas në atë të lojërave sportive me dorë, Zamira Koleci femra ideale që gëzonte virtytin simbol të mirësisë, paqes dhe dashurisë.
Sterjo Spasse-Shkrimtar
Mjeshtër i Rrëfimit (mbas vdekjes) Sterjo Spasse, një prej shkrimtarëve shqiptarë më në zë të shekullit XX-ë, një prej urave lidhëse më të fuqishme mes dy kombësive shqiptare dhe asaj maqedonase, shkrimtari modern, i cili evokoi paqen dhe harmoninë mes kombeve. Të dy, atë dhe bir, Sterjo dhe Ilinden Spasse janë pionierë të letrave shqipe, që duken sikur dalin nga muzeu historik i letrave shqipe.
Postscriptum
Gjithmonë kam pasur optimizmin dhe besimin se përvojat jetësore indikojnë në mënyrën se si gjithkush nga ne mendon e vepron me cilësitë e virtytet që mbartim në vetvete. Situatat, ngjarjet, njerëzit e thjeshtë, qytetarët, intelektualët, njerëzit e letrave shqipe, elita e shquar e botës hyjnore të artit e kulturës, përballen e kontribuojnë gjatë jetës së tyre në forma e përmbajtje të ndryshme. Unë si bijë e lindur dhe e rritur në Korcë, i besoj shumë qytetarisë dhe inteligjencës së shpirtit korçar, që gjithmonë më frymëzon mua dhe që është gjithmonë në ecje, gjithmonë në ndryshim, kontributi i saj është kompleks, i gjallëruar, sepse edhe vetë dashuria për vendlindjen vjen nëpërmjet promovimit të vlerave të kësaj qytetarie, ndikimit të zhvillimit, progresit e begatisë të qytetit, si premisa bazë për enticitetin e botës të artit,kulturës e dijes, që e pasurojnë të tashmen tonë mes të bukurës e të përditshmes njerëzore. Shkruar nga Raimonda MOISIU