Vendimi i beftë i qeverisë për të mbyllur brenda datës 31 dhjetor 2018 kazinotë elektronike, bingot tradicionale dhe bastet sportive vuri nën presion këtë biznes që të gjente alternativa të tjera mbijetese. Aktorë të tregut konfirmojnë se veprimi i parë i ndërmarrë është ai i “eksodit” drejt rajonit, ku qasja ndaj këtij sektori nuk është në nivelet e konservatorizmit ku kaloi vendi ynë, të paktën në aspektin e kuadrit ligjor.
“Kompani të ndryshme kanë vendosur që të fuqizojnë pozitat e tyre në tregje të tjera, më shumë në rajon si në Kosovë, Mal të Zi apo Maqedoni. Sigurisht me një prezencë fillimisht të vogël që e kanë pasur dhe më herët dhe tani më masive, duke qenë se në Shqipëri u vendos mbyllja e plotë e tyre”, konfirmojnë të njëjtat burime. Edhe Shoqata Shqiptare e Basteve nënvizon se tendenca e kompanive ka qenë më së shumti për t’u zgjeruar në rajon dhe se shumica e tyre kanë firmosur kërkesat për mbylljen e pikave sekondare në vend.
Pothuajse të gjitha kërkesat për mbyllje janë dërguar pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, e cila i firmos dhe i dërgon për procedim të mëtejshëm në institucionet e tjera, deri në mbylljen e plotë të aktivitetit. Kazinotë elektronike, nga ana tjetër, kanë vijuar të qetë punën e tyre, pasi procedurat për mbylljen janë më të shpejta. Gjasat që një pjesë e tyre të vijojnë punën deri më 31 dhjetor janë të mëdha, po të kemi parasysh që jemi në 10-ditëshin e fundit.
Disa biznese bëhen “të padukshme”, si funksionon skema
E ndërsa një pjesë kanë zgjedhur të migrojnë në vendet fqinje, duke shpresuar të zhvillojnë aty biznesin e tyre, të tjera duket se kanë preferuar “metamorfozën”, duke kaluar në variantin online. Disa kompani kanë hapur licencë në një vend europian dhe nëpërmjet kësaj licence, krijojnë mundësinë e sallave të basteve sportive (kafeneve) ku kryejnë shitje online, duke u dhënë user (të drejtë përdorimi) lojtarëve të interesuar.
Këta lojtarë mund të jenë individë ose një prej pikave që deri dje ka funksionuar me NIPT sekondar, si pikë basti, por që sot ka hequr logot e kompanive që përfaqësonte dhe është regjistruar në sajtet online të kompanive jashtë vendit ku përmes një username specifik (emri i përdoruesit) vijon aty aktivitetin e rregullt. Burime nga tregu konfirmojnë se kjo praktikë nuk është diçka e panjohur dhe ka nisur të përdoret në masë, duke qenë se tashmë 4300 pikat e dikurshme të basteve kanë dorëzuar kërkesat e tyre për mbyllje.
Por si funksionon në të vërtetë skema për lojërat online. Kompania X e licencuar jashtë Shqipërie në baste sportive ka të regjistruar në sistemin e saj pika sekondare, që funksionojnë si nën një NIPT aktiv si kafene në Shqipëri. Administratori i kafenesë regjistrohet në faqen online të kompanisë së basteve, duke marrë një username dhe duke regjistruar një kartë krediti të vlefshme, por nga e cila nuk kryhen kurrë transaksione. Paratë, në fakt, vijnë nga llogari bankare të hapura në banka të huaja, jashtë Shqipërisë dhe sigurisht shumat që luhen në këto raste janë të konsiderueshme dhe me risk më të madh, duke justifikuar edhe një fitim më të madh. Kjo është pjesa e parë e atyre që luajnë shumë dhe fitojnë shumë, por që shërbejnë si agjentë për pjesën e atyre që luajnë pak.
Të gjithë ata që deri më sot luanin 100 apo 200 lekë për skedina të thjeshta, vazhdojnë ta bëjnë këtë, duke paguar “cash” pranë pikës që ka llogarinë e saj të hapur online dhe që është lojtarja primare në këto sajte. Diferenca e vetme është që pagesa e parave, pra shumave të vogla nuk regjistrohet askund e për rrjedhojë, nga ana e shtetit nuk mund të taksohet asgjë. Lidhur me ambientin, salloni i kafenesë është një sallon tipik me televizorë në çdo anë ku luhen disa ndeshje, veçse nuk jepen rezultatet të afishuara në kohë reale, por ato mund të shihen online përmes telefonit.
Verifikimi me vizita në kohë reale pranë pikave të kësaj natyre, nga ana e autoriteteve rezulton gjithashtu një mision i pamundur. Shumat e parave që luhen “cash” mund të lëvizen në intervale të ndryshme ditore, duke lënë pak gjendje në arkë (sa për të justifikuar aktivitetin e kafenesë) ndërkohë që faqet online aksesohen përmes link-eve standarde dhe nuk kërkojnë shkarkimin e ndonjë programi të veçantë që mund të shihet në kompjuter nëse ai kontrollohet.
*Marrë nga Monitor: Lojërat e fatit po “maskohen” si kafene, skema si do të funksionojnë pas 1 janarit