Në agim, gati në mënyrë sekrete, qeveria populiste e Viktor Orbanit hoqi nga sheshi i parlamentit në Budapest statujën e Imre Nagyt, heroit të revoltës hungareze të vitit 1956, i cili u var pas dy vitesh.
Nuk ishte një rrufe në qiell të pastër, pasi demokratët hungarezë ishin paralajmëruar prej muajsh.
”Rindërtuam me sukses sheshin e parlamentit. Etapa e fundit do të jetë rindërtimi i monumentit të viktimave të terrorit të kuq. Kështu, plaga e statujave komuniste do të shërohet përgjithmonë”, kishte njoftuar disa muaj më parë kryetari i parlamentit, Laszlo Kover, ideologu i Orbanit, në një mbledhje partie.
Shumë syresh kishin kuptuar se bëhej fjalë për statujën e Imre Nagyt, liderit të rezolucionit antisovjetik të 1956.
Një shëmtirë në sytë e regjimit ultrakonservator dhe ultranacionalist të Orbanit. Eksponentët e qeverisë e kishin konsideruar gjatë kohëve të fundit Imre Nagyn si një nga komunistët më të këqinj. E akuzojnë si agjent dhe bashkëpunëtor të KGB gjatë epokës staliniste, ndërkohë që në kujtesën historike të hungarezëve, Nagy, i dënuar me vdekje, është një martir i revoltës së asaj kohe. Ish-ministër i Bujqësisë, në vitin 1945 ai urdhëroi shpërndarjen e tokës së latifondistëve për fshatarët.
Paradoksalisht, në vitin 1989 i riu Orban e filloi karrierën e tij politike me një diskutim pikërisht pranë varrit të Nagyt, duke ngritur lart këtë të fundit si paralajmërim të ndryshimeve demokratike në Hungari.
Që nga ajo kohë, vendi i Orbanit ka bërë një rrugë të gjatë. Sot, Imre Nagy është shndërruar në një personazh demode për regjimin.
Të gjithë kundërshtarët e Orbanit janë indinjuar nga heqja e statujës.
“Orban eliminoi universitetin e themeluar nga Soros, gjykatat e paanshme, sot monumentin e Imre Nagyt. Kush do ta ketë radhën?”, thuhet në protestën e Partisë opozitare Demokratike, ndërkohë që veteranët kanë ngritur zërin kundër këtij veprimi që e konsiderojnë skandal.
Në vend të kësaj statuje do të ndërtohet një monument për periudhën e para Luftës së Dytë Botërore, kushtuar viktimave të terrorit të kuq të vitit 1919.
Gjatë viteve të kaluara, në sheshin e parlamentit, është hequr edhe statuja e Istvan Tisza, kryeministër gjatë Luftës së Parë Botërore, luftë e humbur nga Hungaria, një konservator i ashpër nga i cili Orban thoshte se frymëzohej.
Pastaj i erdhi radha statujës së Mihaly Karolyi, presidenti të parë të Republikës Demokratike të Hungarisë së vitit 1918.
”E gjitha kjo bën pjesë në betejën kulturore dhe identitare që Orban bën prej vitesh kundër vlerave të liberalizmit dhe së majtës hungareze, me qëllimin për të ndryshuar historinë apo më tepër, kujtesën historike të vendit”, thonë analistët./ Nga Peter Magyar/ATSH-ANSA/