“Facebook” ka lançuar në Shtetet e Bashkuara një pjesë të re të rrjetit të saj social kushtuar lajmeve. Quhet “lajm” dhe tani për tani, kompania shpjegon në një postim, që është duke u testuar te një grup përdoruesish, të cilëve do t’u sigurojë lajme kombëtare dhe lokale në disa zona metropolitane si Nju Jorku dhe Los Anxhelos. Një ekip gazetarësh mund të zgjedhin lajmet e ditës që duhet të theksohen. “Facebook” ka muaj që po punon në këtë projekt. Risia vjen pikërisht në një fazë në të cilën shoqëria po lufton me përhapjen e lajmeve të rreme.
“Facebook News” është i ndarë në “seksione tematike për të eksploruar biznesin, argëtimin, shëndetësinë, sportin, shkencën dhe teknologjinë”. Ky seksion ju fton të njiheni me ngjarjet e ditës të përzgjedhura nga një grup gazetarësh, ofron një personalizim bazuar në atë që përdoruesi lexon dhe ndan, dhe ju lejon të fshihni artikuj dhe tema të padëshiruara.
Ekziston gjithashtu një pjesë për ata që lidhin abonimet në gazeta me llogarinë e tyre në “Facebook”.
“Gazetaria luan një rol themelor në demokracinë tonë. Kur lajmet raportohen në thellësi me burime të mira, ato u sigurojnë njerëzve informacione ku mund të mbështeten. Përndryshe, ne humbasim një mjet thelbësor për të marrë vendime të mira”, sqaron “Facebook”.
Seksioni “lajm” u jep përdoruesve “më shumë kontroll mbi lajmet që ata shohin, dhe mundësinë e eksplorimit të një game më të gjerë temash me interes për ta, direkt nga aplikacioni ‘Facebook’”, vijon më tej njoftimi. Përkrah kësaj, do të theksohen “ngjarjet më të rëndësishme kombëtare të ditës”.