Për ish-kryeministrin Sali Berisha, Albin Kurti është një “kafshë politike”, në sensin pozitiv të fjalës. I ftuar mbrëmjen e kësaj të premteje në “Zonë e Lirë”, Berisha e cilësoi Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës një njeri me instikte politike që ka arritur shumë me talentin e tij.
“Unë mendoj se në skenën politike shqiptare, Albin Kurti është një politikan me një fibër të fortë politike. Po të përdorim një shprehje të huaj që në shqip mund të mos tingëllojë mirë, por e them në sensin pozitiv, është ‘kafshë politike’, njeri me instikte politike dhe këtë e ka faktuar, sepse ai ka një karrierë të hershme politike. Ka arritur krejtësisht me talentin e tij, instinktet e tij për 2 herë radhazi, pa ndihmën e njeriu dhe sëbashku me Vjosa Osmanin e LDK-së të cilët u mandatuan të qeverisin sëbashku, unë e kam vlerësuar këtë si një ndryshim historik dhe kam deklaruar atë natë se fitoi Kosova dhe këto ishin zgjedhje historike”.
I pyetur nëse ‘fenomeni Kurti’ mund të përhapet në rajon, Berisha tha: “Ka një problem këtu, ai është i ri, por ka një karrierë politike të gjatë, kështu që a do të ketë të tjerë me karrierën e tij të gjatë politike, varet”.
Arian Çani e pyeti ish-kryeministrin edhe se çfarë e lidh atë me Albin Kurtin.
“Unë nuk kam asnjë marrëveshje me Kurtin, me të kemi patur mendime të njëjta ndaj një problemi, një akti të paimagjinueshëm, të copëtimit, të ndryshimit të kufijve të Kosovës. Unë jam për Kosovën një shtet të fortë të pavarur, e cila për mendimin tim ka një të ardhme të shkëlqyer. Unë besoj se Kurti do të japë kontributin e tij të padiskutueshëm”.