Politika Basha: PD, parti e parë e në vend, pas dy dekadash

Basha: PD, parti e parë e në vend, pas dy dekadash

Në një intervistë për gazetën Mapo, Lulzim Basha shprehet se sipas sondazheve, Partia Demokratike është parti e parë në vend. Kryetari i opozitës flet po ashtu për përpjekjet që po bëhen për të bindur elektoratin e pavendosur.

“Partia Demokratike do të fitojë shumicën e duhur që do ti mundësojnë qeverisjen e vendit. Të gjitha sondazhet e nxjerrin sot Partinë Demokratike forcën e parë politike në vend, një fenomen që ka, të paktën, dy dekada që nuk ndodh në Shqipëri. Ne po bëjmë gjithçka të bindim edhe elektoratin e pavendosur, se PD është alternativa më e mirë për vendin. Dhe për këtë ne kemi hartuar një program ekonomik në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët gjermanë te CDU dhe në konsultim të gjerë qytetar”, thotë Basha.

I pyetur për deklaratat e tij se është gati të futet në zgjedhje që nesër, dhe se çfarë ka ndryshuar nga 30 qershori, Basha shprehet: “Pjesëmarrja në farsën e 30 qershorit nuk kishte lidhje me gatishmërinë tonë për zgjedhje, por me standardet që i ofroheshin qytetarëve. Ne kemi qenë gati për të marrë pjesë në zgjedhje nëse ato do të kishin garancitë minimale për të siguruar votën e lirë, të fshehtë, të pandikuar, të pakërcënuar e të pashantazhuar të qytetarëve shqiptarë. Por, siç e tha dhe ODIHR, 30 qershori nuk kishte lidhje me qytetarët shqiptarë dhe interesat e tyre. Çdokush e pa se si edhe kur vetë kandiduan, vetë votuan, vetë numëruan, Edi Rama dhe veglat e tij, prapë abuzuan dhe tjetërsuan çdo hap të procesit. Ajo që ne kemi kërkuar prej ditës së pare, kanë qenë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, garantimi i votës. Sot kemi në krahun tonë edhe aleatët perëndimorë. Por përpara 30 Qershorit, ne nuk kishim një dokument të Bundestagut që njihte krizën politike dhe që kërkonte zgjidhjen e saj, nëpërmjet një reforme elektorale që garanton zgjedhje të lira e të ndershme”.