Ka një çështje Granit Xhaka tek Arsenali. Mesfushori, i cili në ditën e lindjes u gradua kapiten nga trajneri Unai Emery, u vërshëllye nga tifozët në ndeshjen me Crystal Palace. Në momentin që doli nga fusha ai iu kthye tifozëve, duke u kërkuar të vërshëllenin edhe më fort, madje duke thënë edhe “Shkofshi në djall”.
Tanimë ka të reja dhe raportohet se Xhaka nuk ka pranuar t’u kërkojë falje tifozëve, edhe pse trajneri spanjoll e ka telefonuar dhe ia ka kërkuar diçka të tillë. Arsenali është në hall, pasi një dënim i mesfushorit do sillte revoltë te pjesa tjetër lojtarëve.
“Topçinjtë” kanë pasur shpesh probleme me kapitenët, duke nisur me Laurent Koscielny, Cesc Fabregas dhe Robin van Persie. Të tre këta futbollistë janë larguar, ndërkohë që i pari në një ndeshje as nuk pranoi të udhëtonte me ekipin në shenjë proteste.
Emery e kritikoi Xhakën, duke e cilësuar të gabuar veprimin e tij. Lojtarët nga ana tjetër nuk janë shumë dakord me këtë gjë, madje disa prej tyre e kanë vizituar në shtëpi mesfushorin që mban shiritin e kapitenit.
“Jemi të gjithë njerëz, kemi emocione dhe ndonjëherë nuk është e lehtë të merremi me tifozët. Është koha të shtyjmë njëri-tjetrin përpara, jo të shtyhemi. Fitojmë vetëm kur jemi të gjithë së bashku”, shkruante Hector Bellerin në Twitter. Tifozët janë të mërzitur me Xhakën, ndërkohë që edhe shumë specialistë dhe “ish”-ë nuk e kanë mbështetur sjelljen e mesfushorit.