Kryesore Sondazh: Ja si do dilnin zgjedhjet nëse LSI-ja garon më vete…

Sondazh: Ja si do dilnin zgjedhjet nëse LSI-ja garon më vete…

Eduard Zaloshnja

Në fillim të janarit zhvillova një sondazh kombëtar, të publikuar në revistën Follow Business Albania. Të njëjtin kampion të atij sondazhi e rianketova përsëri këto ditë, duke riformuluar pyetjen rreth preferencës së votës. 1000 të anketuarit u ripyetën se për cilën parti do të votonin sot, në qoftë se LSI-ja do të garonte më vete, e shkëputur nga koalicioni mazhoritar.

Përgjigjet e baterisë së pyetjeve rreth preferencës aktuale elektorale, votimit të 2013-ës, ekonomisë, rendit publik, energjitikës, urbanistikës, arsimit, shëndetësisë etj. u përdorën për të bërë projeksionin e votave (në rast se zgjedhjet do të zhvilloheshin sot).

Një përmbledhje e këtyre projeksioneve është paraqitur në grafikun shoqërues.

Për të bërë projeksionin e mandateve, duhen zhvilluar 12 sondazhe të veçanta lokale (nga një për secilin qark).

Sidoqoftë, ky sondazh kombëtar tregon që, nëse LSI-ja garon më vete, marrja e 71 mandateve nga koalicioni mazhoritar nuk do të jetë e sigurtë.

Kështu, PS+PDIU+FRD+Etj. do të merrnin sot së bashku 48% të votave në rang vendi (marzhi i gabimit statistikor plus/minus 3.2%).

Ndërkohë,  PD+PBDNJ+PAA+PR+Etj. do të merrnin së bashku 38% (marzhi i gabimit statistikor plus/minus 2.7%), LSI do të merrte 11.5% (marzhi i gabimit statistikor plus/minus 1.5%), dhe LIBRA+Sfida do të merrnin 2.5% (marzhi i gabimit statistikor plus/minus 0.5%).

Shënim:

1 – Në vitin 2009, kur LSI-ja dhe LZHK-ja garuan në koalicione të vogla, të shkëputura nga dy koalicionet e mëdha, koalicioni i udhëhequr nga Berisha siguroi 70 mandate, me vetëm 47% të votave në rang vendi.

2 – Në llogaritjet e mësipërme, është presupozuar se FRD-ja do të jetë pjesë e koalicionit mazhoritar. Aktualisht, FRD-ja merr rreth 0.5% të votave në rang kombëtar.