Pasditen e sotme është realizuar një atentat ndaj makinës me të cilën udhëtonte prokurori i Durrësit, Arjan Ndoj dhe dy persona të tjerë. Ngjarja ka ndodhur pranë mbikalimit të Shkozetit dhe aktualisht nuk dihet gjendja shëndetësore e të plagosurve.
Po cilat kanë qenë akuzat e fundit politike ndaj Arian Ndojt?
Më 3 tetor, nga salla e Kuvendit, kryeministri Edi Rama foli për një prokuror që bashkëpunon me bandat e i bën presion drejtuesve të administratës. Ndonëse Rama nuk bëri publik emrin e prokurorit, ai u identifikua një ditë më pas nga zv/kryeministri Erjon Braçe, i cili e akuzoi Ndojin për bashkëpunim me bandat kriminale.
“Liridon Pula (drejtor i Kadastrës) akuzohet për çështje që nuk i përkasin. Është absurde që një nënpunës i shtetit të jetë nën presionin e një prokurori që punon për grupet kriminale”, u shpreh Braçe.
Një javë më pas, emri i Arjan Ndojit u rikthye sërish në sallën e Parlamentit, kur kryeministri e përfshiu në të ashtuquajturin “grupi kap çfarë të kapësh” (KÇK).
“Këtë grupin KÇK, ky Parlament duhet ta shpallë grup në kërkim. Duhet ta shpalli në kërkim me çdo mënyrë duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu. Është e kot t’i bëjmë njëri tjetrit predikime dhe nga tryezat e opozitës të ngrihemi të fajësojmë qeverinë dhe nga tryeza e qeverisë të justifikohemi. Prcesi i vetting-ut do të vazhdojë për disa vjet, por ne nuk duhet të lejojmë që prokurorë dhe gjyqtarë si ata të Durrësit të vazhdojën të bëjnë kërdinë çdo ditë”, theksoi Rama.