Bota A ka ndërhyrë Rusia për Brexitin?

A ka ndërhyrë Rusia për Brexitin?

Rusia me gjasë ka ndërhyrë në referendumin për Brexit në vitin 2016. Moska i hedh poshtë akuzat, opozita britanike ngre zërin: Ajo kërkon pubikimin e raportit që i është paraqitur kryeministrit Johnson.

Në Britaninë e Madhe është hapur një debat i ri për Brexitin. Rusia me gjasë ka ndërhyrë në referendumin për Brexit në vitin 2016. Komisioni parlamentar për shërbimet sekrete ka paraqitur tashmë një raport. Por kryeministri, Boris Johnson nuk e bën atë publik. Opozita britanike e akuzon qeverinë Johnson, se po e mban të fshehtë raportin, në mënyrë që opinioni të mos mësojë asnjë detaj të rëndësishëm përpara zgjedhjeve parlamentare të 12 dhjetorit.

“Kjo nuk është gjë tjetër veçse përpjekje për ta heshtur të vërtetën ndaj parlamentit dhe për t’iu kundërvënë demokracisë sonë”, tha zëdhënësja e politikës së jashtme të Partisë Laburiste, Emily Thornberry. Ajo mendon, se raporti eventualisht mund të ngrejë edhe çështje të tjera, si p.sh. raportet mes Johnsonit dhe një të dyshuari si spiun rus. Ky e ka cilësuar Johnsonin si mik të mirë. “Raporti mund të shtrojë edhe çështjen e këshilltarit politik të Johnsonit, Dominic Cummings, i cili në vitet 1990 ka punuar në Rusi ose edhe temën e financimeve ruse për partinë konservatore”, është shprehur më tej Thornberry. Edhe zëdhënësi i politikës së jashtme të liberal-demokratëve është shprehur lidhur me temën: “Vjen erë retushimesh”, shkruan ai në Twitter.

“Asnjë provë për ndërhyrje ruse”

Sekretari i shtetit për Europën, Christopher Pincher i hodhi poshtë akuzat: “Nuk ka asnjë provë, që të vërtetojë se ka pasur ndërhyrje të suksesshme ruse në procesin elektoral britanik. Moska i hedh poshtë akuza të tilla. Por edhe anëtarët e partisë konservatore kërkojnë publikimin e raportit. Duke mos e bërë publik raportin, Boris Johnson le hapësirë për ndjenjë persekutimi të opozitës, tha ish-ministri i Brexit, David Davis.

Sa e madhe është influenca e Rusisë ndaj referendumit për Brexit?

Raporti iu dërgua më 17 tetor Johnsonit. Normalisht shqyrtimi i një raporti të tillë kërkon dhjetë ditë, sipas ish-prokurorit të përgjithshëm, Dominic Grieve. Por atij i kundërvihet Pincher, që thotë, se përpunimi kërkon për të qenë realist tri deri në katër javë, veçanërisht duke iu referuar debateve të vazhdueshme për Brexitin dhe zgjedhjeve të reja. “Gjatë javëve të kaluara kryeministri ka pasur mjaft impenjime në disa çështje.”

Grieve thotë, se raporti mund të përmbajë informacione, që mund t’i preokupojnë zgjedhësit. Ai u përjashtua nga grupi parlamentar i Torive, sepse në grindjen për Brexitin iu kundërvu qeverisë. Në zgjedhjet e ardhshme ai konkurron si kandidat i pavarur.