Humbja në Dortmund e ka komplikuar ecurinë e Interit në Champions League. Zikaltërit rrezikojnë t’i japin lamtumirën turneut më prestigjioz, megjithatë matematika lë vend për të shpresuar.
Italianët i kanë hedhur sytë nga Barcelona, pasi dy hipotezat e mundshme për të evituar dështimin lidhen pikërisht me katalanasit.
Së pari, Interi duhet të fitojë në Pragë ndaj Slavias, më 27 nëntor, e më pas të marrë pikët e plota edhe ndaj Barcelonës në ndeshjen e fundit të grupeve. Në këtë rast, katalanët mund të luajnë të pamotivuar, sepse nëse fitojnë ndaj Dortmundit janë të kualifikuar.
Për t’u kualifikuar, zikaltërve mund t’u mjaftojnë edhe 4 pikë në dy ndeshjet e mbetura, por me kusht që Borusia të marrë vetëm një pikë në sfidat ndaj Barcelonës dhe Slavias. Edhe ky një skenar që mund të realizohet.