Jo vetëm që nuk pranoi se ka lidhje me oligarkinë, por kryedemokrati Lulzim Basha foli në Vlorë edhe për planin që ka për të çarmatosur oligarkinë nga instruementat me të cilat kap shtetin dhe pushtetin.
“Unë nuk kam asnjë lidhje me oligarkinë. Përkundrazi! Unë dhe partia ime kemi një plan për ta çarmatosur oligarkinë nga instrumentat me të cilat kap shtetin dhe pushtetin dhe, pastaj, vjedh dhe grabit pasuritë e shqiptarëve, siç kemi edhe është një plan për t’u marrë çdo qindarkë që i kanë marrë nga taksat tuaja dhe për t’jua rikthyer ju”, the kreu i opozitës.
Basha tha se ndryshe nga kundërshtari i tij politik, nuk ka asnjë lidhje me persona me rekorde kriminale.
“Çfarë kam unë ndryshe? Është e vështirë të flasësh për veten, por e kam për detyrë ta shpjegoj, përderisa e kërkoj këtë përgjegjësi. E kam për detyrë t’ju them se ndryshe nga ky që qeveris sot, unë nuk kam lidhje me asnjë kriminel dhe nuk jam mbështetur kurrë tek kriminelët për pushtetin tim apo të partisë sime. Përkundrazi! Ne kemi bërë një betejë 6 vjeçare kundër krimit dhe kemi fituar disa segmente të kësaj beteje, siç është përshembull ligji për dekriminalizimin, që ka nxjerrë shumë pushtetarë nga Parlamenti, nga bashkitë. I fundit ishte ky i Vorës”, tha kreu i Partisë Demokratike.