Presidenti i Republikës Ilir Meta thotë se qeveria ka si synim të kapë institucionet e reja të drejtësisë dhe sidomos Gjykatën Kushtetuese. Në emisionin “Opinion” ai tha se nuk ka asnjë frikë për shkak të veprimeve që ka marrë.
“Nuk kam frikë unë. Të kem unë frikë nga Edi Rama?! SPAK? Po lërini këto marrëzira. Nuk kam unë asnjë frikë. As nga Ulsiu (Manja) që ma keni bërë si Uliksi. Kaq mirë po ecin gjërat në reformën në drejtësi sa dhe Shqipëria po shkon kaq poshtë.
Raporti i Doing Bussines ka rënë 19 vende vetëm për shkak të këtyre reformave. Sa herë vjen një diplomat këtu që do të marrë dieta dhe paga duhet që unë të besoj çfarë thonë ata? Unë kam ligjin dhe Kushtetutën”, tha Meta.
Meta thotë se Arta Vorpsi nuk është anëtare e Gjykatës Kushtetuese edhe pse emri i saj mund të botohet në Fletoren Zyrtare. Sipas kreut të shtetit anëtare e Gjykatës Kushtetuese është Marsida Xhaferllari që ai ka dekretuar dhe që këtë të enjte bëri betimin përpara tij. Në emisionin “Opinion”, Meta tha se ajo që thotë KED nuk ka asnjë vlerë.
“Kujt po i kërcet për fletoren e Dvoranit. Ka mbaruar kjo histori. Jemi shtet i së drejtës dhe jo republikë noteriale. Asistencë mjekësore nuk i ofroj dot Dvoranit. Ai edhe mund të ketë nevojë. Ai paska shqetësim për etikën e Presidentit ndërsa nuk ka shqetësim për planin mafioz që i merr kompetencat Presidentit”, tha Meta.