Bota Britania pas Brexit, Tusk: Do të bëhet një “lojtar dytësor” në skenën...

Britania pas Brexit, Tusk: Do të bëhet një “lojtar dytësor” në skenën ndërkombëtare

I kanë mbetur edhe pak ditë në krye të Këshillit Europian dhe Donald Tusk po e shfrytëzon kohën për të vënë pikat mbi “i”.

“Britania do të humbasë influencë në skenën ndërkombëtare dhe do të bëhet një “lojtar dytësor” pasi të dalë nga Bashkimi Europian”, tha presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk në një fjalim në Kolegjin Europian në Bryzh.

“Një Europë e bashkuar mund të përballet me lojtar si Kina”

Avokatët e referendumit të vitit 2016 për të dalë nga blloku tregtar më i madh më botë thonë se Britania, që është ekonomia e pestë më e madhe në botë, do të arrijë një status të ri botëror të paprekur nga rregullat europiane dhe më afër Shteteve të Bashkuara. Tusk tha se vetëm një Europë e bashkuar mund të përballet me lojtar si Kina dhe të ketë rëndësi në nivel botëror.

Tusk ka shprehur vazhdimisht dëshirën që Britania të ndryshojë mendje dhe të qëndrojë në Bashkimin Europian. Ish-kryeministri polak do të lë detyrën më 1 Dhjetor dhe do të pasohet nga ish-kryeministri belg, Charles Michel.

“Beteja ime anti-ruse”

Presidenti i Këshillit Evropian në largim, Donald Tusk tha se ai siguroi liderët e Bashkimit Evropian se Rusia ishte “një problem strategjik e jo një partner strategjik”.

“Më është dashur vazhdimisht, pothuajse çdo javë, t’u kujtoj të tjerëve se Rusia nuk është partneri ynë strategjik, por një problem strategjik. Unë madje u etiketova si një ‘monomaniac’ sepse isha aq i përqëndruar në këtë temë”, tha ai në një fjalim në Universitetin e Bruges.

Sipas tij, qëllimi i tij ishte të ruajë unitetin evropian, për të cilin “politika agresive e Kremlinit” ishte një sfidë e madhe.

“Unë jam ende i bindur që kjo nuk ka të bëjë vetëm me të ardhmen e pavarësisë së Ukrainës dhe sigurinë e Evropës qendrore, por edhe me sovranitetin e Evropës si një entitet politik.

Dhe nuk kam asnjë dyshim se qëllimi strategjik i Vladimir Putinit është jo vetëm të rimarrë kontrollin mbi territoret e ish-Bashkimit Sovjetik, por edhe të dobësojë sistematikisht BE-në duke krijuar ndarje të brendshme”, tha Tusk.

Ai shtoi se përpjekjet e tij përfundimisht u shuan pasi uniteti i BE u forcua përmes sanksioneve ndaj Rusisë.

“Nuk ka sovranitet në Europë pa Ballkanin”

Tusk nuk i kurseu kritikat edhe për Presidentin francez Emmanuel Macron, lidhur me deklaratën se NATO kishte pësuar vdekje cerebrale, qëndrimin e tij ndaj Rusisë, por kryesisht për veton ndaj hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Lidhur me Presidentin francez, një prej liderëve të padiskutueshëm të Bashkimit Europian, dhe miku im i mirë. Dua t’i them atij se edhe unë e ndaj të njëjtën ëndërr për sovranitet në Europë. Por nuk do të ketë sovranitet në Europë pa një Ballkan të stabilizuar, të integruar me pjesën tjetër të kontinentit, dhe nuk duhet të jesh historian për ta kuptuar këtë”, tha Tusk.