Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi kanë emëruar këtë të hënë Kreshnik Gashin në postin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Zbulimit të Kosovës dhe Burim Ramadanin në postin e inspektorit të përgjithshëm të kësaj agjencie, në një proces që u zhvillua brenda ditës nga emërimi në kryeministri te betimi në Presidencë.
Në rrjetet sociale, kryeministri Haradinaj shkroi se “profilet e të emëruarve, si figura publike me integritet dhe ekspertë për siguri, garantojnë profesionalizmin dhe kredibilitetin e AKI-së”.
Këto emërime në krye të Agjencisë së Zbulimit sollën reagimin e menjëhershëm të lëvizjes Vetëvendosje, e cila i cilësoi si antikushtetuese dhe partiake. Partia që pritet të drejtojë qeverinë e Kosovës paralajmëron se këtë çështje do ta dërgojë dhe në Gjykatën Kushtetuese.
“Propozimi nga Haradinaj dhe dekretimi nga Thaçi për të dy këto pozicione është përveç të tjerave dhe antikushtetues. Në dy drejtime, sepse ish-kryeministri s’mund ta ushtrojë këtë kompetencë e Presidenti s’mund të dekretojë propozime nga një ish-kryeministër. Propozimet janë po ashtu emërime politike. I pari, ish-vartës i Hashim Thaçit në MPJ, u emërua si drejtor i AKI-së pasi që dështoi t’i mbrojë numrat e Z-mobile nga pozitat e drejtorit të bordit të ARKEP-it. I dyti u emërua kryeinspektor pasi dështoi të bëhej deputet i AAK-së, i cili mbahet mend për ankesat e tij rreth vjedhjes së votave që iu bënë nga brenda subjektit të tij. Duket se ky emërim ishte dhe rehatomi i tij”, shkruhet në deklaratën e Vetëvendosje.