Aktualitet Në pranga “skifterët” shqiptarë në Francë, vodhën bizhuteri me vlerë 330 mijë...

Në pranga “skifterët” shqiptarë në Francë, vodhën bizhuteri me vlerë 330 mijë euro

Një rrjet i mirëorganizuar në vjedhjen e bizhuterive dhe më pas shitjen e tyre në argjendari, u shkatërrua ditët e fundit në Francë dhe shqiptarët kishin një rol kryesor, pasi ata siguronin lëndën e parë, pra vidhnin sendet me vlerë në banesa.

Vjedhjet kanë ndodhur në zonën e Tuluzit, ku autorët kanë mësyrë të paktën 33 herë në banesa këto 18 muajt e fundit, duke marrë bizhuteri me vlerë 330 mijë euro.

Ky rrjet kriminal përbëhej nga shqiptarë, francezë, belgë dhe rusë. Shqiptarët informoheshin nga francezët për banesat që piketonin për të vjedhur dhe ishin të lidhur me një argjendar, me origjinë nga Rusia, i cili bashkë me një belg, grumbullonte sendet me vlerë.

Gjatë kontrolleve në banesa, 110 xhandarët që morën pjesë në aksion, sekuestruan një shufër argjendi me vlerë 7.500 euro, monedha ari, më shumë se 300 sende me vlerë, 14.360 euro kesh 26.665 euro në llogari të ndryshme bankare.

Disa muaj më parë, në të njëjtën zonë, ishin arrestuar 5 shqiptarë, të akuzuar për 80 vjedhje.