Thumana është një nga zonat më të prekura prej tërmetit me magnitudë 6.4 ballë që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës. Ekipe të shumta për kërkimin dhe shpëtimin e banorëve të bllokuar janë vendosur atje.
Fakeqësisht tërmeti u pasua me viktima, por falë ndërhyrjes së ekipeve të specializuara është bërë i mundur shpëtimi i 45 personave nga rrënojat në zonat më të prekura.
Tvklan.al ka siguruar videon kur një banor i pallatit të shembur në Thumanë nxirret nga rrënojat i gjallë pas 8 orësh. Personi i shpëtuar quhet Sajmir Gregu, ndërkohë që nxjerrja e tij është shoqëruar me duartrokitje.
“Bravo, bravo. Qenka gjallë shyqyr Zotit”, dëgjohen të thonë disa nga të pranishmit në pallatin e rrënuar.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se deri në orën 18:30 rezulton se 21 persona kanë humbur jetën si pasojë e lëkundjeve të tërmetit.