Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e qeverisë konfirmoi se sot do të kalohet vendimi për vendosjen e kontratave me hotelet që kanë sistemuar persona të prekur nga tërmetet.
Kreu i qeverisë thekson se këta nuk duhet të trajtohen nga pronarët e këtyre hoteleve si “turistë, por si pacientë” dhe nuk do të pranohen faturat abuzive.
“Dëmet më të mëdha janë shfaqur te Ura e Dajlanit në Durrës, rruga ‘Aleksandër Goga’, Thumanë, Bubq, Ishëm. Në Tiranë janë 1192 individuale që kanë dëmtime serioze, dhe 265 pallate që kërkojnë rivlerësim. 8 shkolla janë të dëmtuara, një qendër shëndetësore, në drejtim të infrastrukturës publike për shkolla dhe çerdhet do të kryhet vlerësime në mënyrë maksimale.
Programi i rindërtimit është për ata që kanë humbur shtëpitë. Flas dhe për familje të varfra që janë subjekt i organizatave humanitare edhe këto familje, nuk mund të futen nga familjet e prekura nga tërmeti, për ata që nuk kanë dëme të mëtejshme, i kemi fotografuar.
Ajo që do të miratojmë sot është miratimi i kontratave me strukturat hoteliere. Nuk do të pranojmë që të vijnë të na kërkojnë fatura në rrugë informale, por dhe formale që nuk kanë lidhje me këtë proces. Ata që kanë shkuar në hotele, nuk janë turistë, por pacientë”, tha Rama.
“Të gjithë nxënësit qe nga fillorja deri në klasën e fundit parauniversitare dhe studentët e familjes së viktimave do te përfitojnë bursë 15 mijë lekësh të reja në muaj. Sfida jonë është që të bëjmë diçka që nuk e ka bërë askush, të përpiqemi deri në momentin e fundit”, u shpreh Rama.
Ndër të tjera ai bëri të ditur se familjeve në Thumanë do tu ofrohen menjëherë apartamente në Tiranë.
“Për familjet e viktimave do të ofrohen 1 milion lekë të reja përkrahje sociale. Jemi gati dhe kemi arredimin për 6 apartamente në Thumanë, por ju lutem një komunikim në Thumanë që të dimë dëshirën e tyre. Dhe ky është akti i parë që dhe është bërë në kohë rekord. Ne jemi gati, komunikimi të na sjellë gatishmërinë e tyre nëse duan të vijnë në Tiranë, si ata të Thumanës, si ata të Durrësit”, deklaroi Rama në mbledhjen e qeverisë.
Çdo ndërtues, çdo person i përfshirë në ndërtime nuk do të lejohet më të abuzojë. 7 deri në 15 vjet burg ndërtuesve që nuk zbatojnë lejet, tha Rama.
Një tjetër vendim i qeverisë ka të bëjë me një grup pensionistët. Kryeministri Rama tha se për të gjithë pensionistët e familjeve të viktimave do të jepet pensioni i veçantë i Republikës së Shqipërisë, pensioni që iu jepet njerëzve me kontribute të veçanta. “Është një numër i kufizuar që varion në 12-15, kështu që këta njerëz do përfshihen në këtë kategori”, tha ai më tej.