Presidenti Ilir Meta me gjasë do jetë deri në pranverë në krye të shtetit shqiptar, pasi mazhoranca, ka gjykuar se duhet shtyrë për disa muaj përfundimi i konkluzioneve të komisionit hetimor ndaj tij, duke marrë në konsideratë situatën e rëndë pas-tërmetore.
Kjo shtyrje u kundërshtua nga ballisti Adriatik Alimadhi në komision, por u mbrojt nga demokrati Alban Zeneli, edhe pse ndër më të ashprit për shkarkimin e Metës.
Ishte deputeti socialist Bashkim Fino, ai që hodhi poshtë pretendimet e Alimadhit se kjo është një lojë politike.
“Kemi para një situatë të tërmetit. Më pas është miratimi i buxhetit. Më pas është mbyllja e kuvendit për këtë sezon. Më pas fillon javën e tretë të janarit. Do merremi me tërmetin, buxhetin dhe le të themi se puna konkrete e këtij komisioni do të jetë në fund të janarit. Nuk ka lojë politike.
Brenda datës 5 mars duhet të paraqitet në parlament. Nëse shtyhet atëherë janë lojëra politike”, tha Fino, mbështetur nga Zeneli. “Sot nuk do të ishte me vend që në këtë gjendje që po kalon vendi të behet një debat i tillë. Kjo shtyrje nuk prish as nuk si shton gjë as presidentit, as kuvendit”, shtoi deputeti demokrat i “opozitës së re”.