“Së shpejti do të jem në Itali, në një ekip që duhet të fitojë sërish”. Ka qenë ky mesazhi që ka dhënë sulmuesi suedez Zlatan Ibrahimovic për revistën “GQ”, por pa bërë me dije se në cilin ekip do të luajë.
Orët e fundit është përfolur se do të rikthehet te Milani, por edhe ekipe të tjera italiane si Bolonja, Napoli dhe Fiorentina ia kanë vënë syrin sulmuesit 37-vjeçar. “Do të luaj me një ekip që do të rinovojë historinë e tij dhe që është në kërkim të një sfide kundër të gjithëve. Unë dua të bëj diferencën aty ku luaj”, tha Ibrahimovic.
“Vetëm kështu do të gjej stimujt e nevojshëm për t’ju befasuar sërish të gjithëve. Si lojtar nuk bëhet fjalë vetëm për të gjetur një ekip. Ka edhe faktorë të tjerë që duhet të shoh. Nuk dua të bëj mirë një apo dy gjëra, dua të bëj mirë gjithçka. Në radhë të parë është familja. Do të shihemi së shpejt në Itali”, tha Ibrahimovic.