E Ngarkuara me Punë e SHBA, Leyla Moses-Ones dhe smbasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, u takuan sot me Prokurorin e Përgjithshëm të sapozgjedhur Olsian Çela.
Në një postim në Twitter, Soreca shkruan se zgjedhja e Çelës në këtë post është një tjetër hap i rëndësishëm përpara në zbatimin e reformës në drejtësi.
“Së bashku me Leyla Moses-Ones takuam Prokurorin e Përgjithshëm të sapozgjedhur Olsian Çela. Ne diskutuam prioritetet kryesore të zyrës së tij të re, përfshirë rolin e rëndësishëm të hetimeve proaktive financiare, veprimin e zyrave të prokurorisë pas tërmetit, si dhe fazën kalimtare drejt krijimit të SPAK. Zgjedhja e Z. Çela është një tjetër hap i rëndësishëm përpara në zbatimin e reformës në drejtësi, e cila është prioritet kryesor për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE”, shkruan Soreca në Twiter.
Ndërkohë, ambasada e SHBA shkruan se Leyla Moses-Ones përsëriti sërish mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi dhe rolin e rëndësishëm që institucionet e prokurorisë luajnë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit.