Diego Maradona dëshiron që ish-trajneri i Tottenham, Mauricio Pochettino, të marrë përsipër drejtimin e “ekipit më të madh në botë”, Boca Juniors. Argjentinasi është lidhur me Manchester United, Arsenalin dhe Bayern Munich, që nga momenti kur u shkarkua nga stoli i nënkampionëve të Europës, muajin e kaluar. Maradona, trajneri i Gimnasia, kërkoi që “Poch” të kthehet në atdheun e tij dhe të drejtojë Boca, klub i cili po kërkon një trajner të ri, pasi Gustavo Alfaro u tërhoq nga pozicioni që mbante.
“Unë nuk do të shkoj te Boca…, sepse, e përsëris, nuk pajtohem me ata që e menaxhojnë klubin, – tha Maradona për “Ole”. – Presidenti Jorge Amor Ameal ishte tashmë atje, rezultoi një fatkeqësi, sepse e rrethoi veten me Mario Pergolini, i cili beson se ende mund ta drejtojë klubin. Boca duhet të marrë një trajner për të luajtur futboll të bukur, për të qenë në lartësinë e emrit të vet. Nuk është e lehtë të ulesh në atë stol.
Më i miri nga të gjithë është Maradona (qesh). Sidoqoftë, tani për tani nuk do të shkoj atje, në një moment tjetër do të ndodhë. Personalisht do të doja të shihja Mauricio Pochettino në atë pozicion. Klubi duhet ta telefonojë atë dhe ta bindë të vijë e të udhëheqë ekipin më të madh në botë”.