Antonio Conte ishte i ftuar në studion e “Che tempo che fa”, përballë Fabio Fazio. Ky i fundit realizoi një intervistë të këndshme, në të cilën dolën anët e ndryshme të trajnerit aktual të Interit, duke përfshirë veçanërisht pasionin e tij të pavdekshëm për futbollin. Kjo është ajo që e karakterizon, qoftë edhe si njeri, dhe e ka bërë të famshëm në të gjithë botën. Pasioni i tij mund të shihet në gjithçka që ai bën, madje në ngazëllimin gjatë lojërave, i cili është gjithmonë shumë i jashtëzakonshëm dhe skenik.
Për të filluar intervistën, Conte kujtoi një anekdotë për karrierën e tij të hershme, kur luajti në ekipin e të rinjve të Lecce. Bëhet fjalë për një histori të vërtetë adoleshentësh, kur njëri nga kolegët e tij futbollistë, Morello, i kishte kërkuar atij, gjatë një udhëtimi, këshilla sentimentale, se si ta bënte për vete një vajzë. Sidoqoftë, Conte, i cili duhej të argëtohej nga telefonata me të dashurën e tij të kohës, ishte vonuar pak në përgjigje për kolegun. Kjo bëri që djaloshi i dashuruar kokë e këmbë ta menaxhonte vetë atë moment “të vështirë”. Sapo u kthye në dhomë, ai e gjeti shokun e ri të skuadrës midis çokollatave të ndryshme, të cilat do t’ia dërgonte me shënime përsipër vajzës që donte.
Pas kësaj paranteze të shkurtër simpatike u fol për një temë më serioze, në të cilën u prek tema e fitores dhe e humbjes. Për Conte, momenti i humbjes është si një zi e vërtetë e përkohshme, e cila me siguri zgjat shumë më tepër sesa gëzimi që ka ai, kur fiton. Më pas, Fazio tregoi një foto të Antonio Conte si fëmijë, gjatë një ahengu karnavalesh, ku ishte veshur si futbollist. Trajneri zikaltër konfirmon se qysh në një moshë shumë të re, pasioni i tij i vetëm kishte qenë gjithnjë sporti dhe futbolli në veçanti.
Pastaj, Fabio Fazio e pyeti se cilat janë ndryshimet midis kulturës sportive në Angli dhe asaj në Itali. Conte tha se në realitet publiku në Angli ka shumë më shumë të ngjarë ta shijojë shfaqjen dhe të të duartrokasë, pavarësisht nëse fiton apo jo: “Nëse më duhet të jem i sinqertë, në Angli e simpatizoj shumë atmosferën përreth ndeshjes. Spektatorët vijnë për të shijuar ndeshjen dhe spektaklin, e kuptojnë sforcon që jep në fushë. Një ditë me Chelsea luanim në shtëpi me Middlesbrough, që po binte nga kategoria. Fituam 4-1 dhe pavarësisht kësaj, tifozët e tyre i duartrokitën lojtarët që shkuan poshtë pjesës së tyre të stadiumit. Më befasoi aq shumë ky fakt, sa shkova t’i duartrokas”.
Pra, duket se tifozët janë ndoshta shumë më mirënjohës në vlerësimin e përpjekjes së ekipit sesa italianët. Për këta të fundit, ai është i bindur se mund të përmirësohen në aspektin sportiv. Fabio Fazio më pas u përqendrua përsëri në një moment ironik, duke folur për këshillat që Antonio Conte duket se u jep lojtarëve të tij në lidhje me dashurinë dhe jetën seksuale.
Conte, në të vërtetë, tha se ai gjithmonë është përpjekur të japë këshilla për kujdesin në marrëdhëniet fizike, veçanërisht kur duhet të luhen shumë ndeshje, sepse energjia nuk duhet të harxhohet jashtë fushës së blertë: “Në të vërtetë, gazetari i “L’Equipe” më tha që Kamata, ish-lojtar i imi në kohët e Barit, i kishte treguar se i jepja këshilla jashtë fushe. Nuk them që është keq, por ka momente e momente. Është një debat që ekziston prej kohësh. Trajnerët në të kaluarën thonin që pas ndeshjes dhe pushimit të së hënës, pra nga e marta, mbylleshin rubinetat. Një herë grumbullova edhe Destro, që do të martohej. U martua, më pas u bashkua menjëherë me ne në grumbullim”.
Drejtuesi i emisionit, më tej lexoi një pjesë të librit të Andrea Pirlo, një ish-futbollist i Conte, i cili thotë se vendi më i rrezikshëm në të gjithë Torinon ishte hyrja në dhomat e zhveshjes gjatë ndeshjeve. Në fakt, ish-mesfushori italian e kishte fjalën për atë që bënte Conte gjatë pushimit mes dy pjesëve. Ish-trajneri i Juventusit asokohe shpërthente në dhomën e zhveshjes, duke hedhur gjithçka që ndodhej aty. Ndër objektet më të goditura nga Conte ishin shishe të mbushura uji, të cilat edhe mund të të dëmtonin. Conte tha se në realitet kjo ndodhi disa herë dhe se e bënte veçanërisht kur skuadra ishte duke fituar, për ta mbajtur nivelin e tensionit të lartë, kur dukshëm ai po binte.