Presidenti amerikan Donald Trump është rikthyer te “armiqtë” e tij të vjetër – mullinjtë e erës, për të cilët ai thotë se janë monstra që vrasin shumë shqiponja me kokë të bardhë dhe prishin peisazhin e fermave dhe fushave.
Pasi deklaroi se ISIL di më shumë se gjeneralët e tij dhe se ky formacion militant e kupton politikën “më mirë se kushdo tjetër”, presidenti amerikan ka gjetur një çështje tjetër për të cilën pretendon se është pjesë e dijes së tij – turbinat e erës që quhen mullinj me erë, shkruan The Guardian.
“Kurrë nuk e kam kuptuar erën. E dini, unë i njoh shumë mullinjtë e erës. Ata janë të zhurmshëm. Ata vrasin zogj. Dëshironi të shihni një varrezë zogjsh? Shkoni nën mullirin e erës një ditë. Do të shihni më shumë zogj të vrarë se ç’keni parë ndonjëherë në jetën tuaj”, tha Trump fundjavën e kaluar, duke iu drejtuar konservatorëve të rinj në Florida.
Ndër të tjera, ai tha se “mullinjtë e erës” shkaktojnë avullim të madh të dëmshëm, prishin bukurinë e peizazhit dhe, pas dhjetë vitesh punë, “duken si ferr”.
“Ato janë bërë kryesisht në Kinë dhe Gjermani”, tha Trump.
The Guardian thekson se “lufta me mullinjtë e erës” e Trump nuk është e re – ai u tall në fillim të këtij viti për pretendimin se turbinat me erë po shkatërrojnë vlerat e pronës dhe se zhurma që prodhojnë po shkakton kancer.
Mullinjtë e erës ishin një objektiv i Trumpit edhe para karrierës së tij politike, thekson CNN, duke shtuar se ai kishte luftuar për vite me rradhë për të penguar ndërtimin e një të tilli pranë fushës së tij të golfit në Skoci.
Në një fjalim në Florida, ai tha se mullinjtë e erës pranë shtëpisë së dikujt ulën vlerën e asaj shtëpie me 50 përqind, por disa studime akademike nuk gjetën ulje statistikisht të rëndësishme në vlerën mesatare të pasurive të patundshme për shkak të turbinave me erë në SHBA.
Presidenti amerikan ka pohuar se turbinat në Kaliforni vrasin shumë shqiponja me bisht të bardhë, duke shtuar një element të ri në pretendimin e zakonshëm, atë që ata masakrojnë dhe zogjtë.