“Ata gënjejnë se armiku ynë është Amerika, armiku ynë është këtu”, thërriste një grup protestuesish përpara një universiteti në Teheran.
Kjo dhe shumë thirrje të tjera shoqëruan ditën e dytë të protestave mbarëpopullore në Iran pas pranimit nga ana e qeverisë se avioni me 176 persona në bord u shënjestrua nga ushtria e vendit.
Të shumtë ishin ata që u mblodhën me pankarta në duar dhe kërkonin largimin e Khameneit, ndërsa që shtypi vendas kërkonte vënien para përgjegjësisë të të gjithë atyre që ishin të përfshirë në këtë situatë.
Më herët të dielën autoritetet dislokuan në Teheran forcat speciale në pritje të protesta të reja.
Forca të policisë të veshur me të zeza e me helmeta mbrojtëse, u vendosën në sheshin e njohur Azadi në jug të qytetit si dhe pranë disa pikave kryesore të Teheranit.
Protestuesit u shprehën të zemëruar pas lajmit se zyrtarët iranianë kishin gënjyer fillimisht mbi rolin e vendit në incidentin e së mërkurës.
Zyrtarët iranianë treguan të vërtetën mbi rrethanat e rrëzimit të avionit, vetëm pasi u bë e qartë se provat e mbledhura në terren, nuk do t’i lejonin më të vazhdonin të gënjenin, thuhej në një nga gazetat kryesore amerikane.
Në një postim në Twitter të dielën Presidenti Donald Trump paralajmëroi Teheranin të mos sulmojë demonstruesit.
“Për udhëheqësit e Iranit…..mos i vrisni protestuesit. Me mijëra tashmë janë vrarë apo burgosur nga ju dhe bota po shikon. Më e rëndësishmja është që SHBA-ja po ju sheh. Rivendosni qasjen në internet dhe lini gazetarët që të lëvizin të lirë! Ndaloni vrasjen e popullit tuaj të madh iranian!”, shkruante Presidenti amerikan.