Diplomatët iranianë, që u shpallën non grata një ditë më parë nga autoritetet shqiptare, ende nuk janë larguar nga vendi ynë. Sipas Ministrisë së Jashtme, diplomatët Mohamad Ali Arz Peimanemati dhe Sejed Ahmad Hoseini Alast kanë zhvilluar veprimtari që nuk përputhej me statusin e tyre diplomatik.
Të tjera burime saktësuan për Televizionin Klan se ata kanë pasur lidhje me gjeneralin e vrarë Kasem Sulejmani dhe dyshohet se do të kryenin akte terroriste në Shqipëri.
Dy diplomatët mësohet se ndodhen ende në ambientet e Ambasadës Iraniane në Tiranë. Atyre u është lënë afat 72 orë të largohen nga Shqipëria.
Me dy diplomatët numri i të dëbuarve në këtë Ambasadë shkon në katër. Në vitin 2018, Tirana shpalli persona të padëshirueshëm edhe Ambasadorin e Iranit në vendin tonë, Golamhosein Mohamadnia dhe një përfaqësues tjetër diplomatik, për të njëjtin motiv.
Në qendër të veprimeve të iranianëve dyshohet se janë 3 mijë muxhahedinët që janë strehuar në Shqipëri. Për strehimin e tyre, Shqipëria u kërcënua pak ditë më parë edhe nga lideri suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khomeini.