George Soros ka sulmuar Presidentin amerikan Donald Trump dhe atë kinez Xi Jinping, duke i quajtur “sundues autoritar”. Ai tha se Trump ishte një “mashtrues dhe narcist” që kishte thyer kufijtë e Kushtetutës amerikane. Ndërsa tha se Presidenti kinez po përdorte teknologjinë për të kontrolluar totalisht jetën në vendin e tij.
“Bota do të ishte një vend më i mirë nëse ata nuk do të ishin në pushtet”, tha Soros gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror. “Trump është i gatshëm të sakrifikojë interesat kombëtarë për ato personalë dhe do të bënte praktikisht çdo gjë për t’u rizgjedhur. Nëse Xi është i gatshëm të shfrytëzojë dobësitë e Trump dhe të përdorë inteligjencën artificiale për të kontrolluar njerëzit e tij”.
Soros ka deklaruar se Facebook do të angazhohet në rizgjedhjen e Donald Trump si president i SHBA.
“Facebook do të punojë për rizgjedhjen e Trump dhe Trump do të mbrojë Facebook. Kjo më shqetëson shumë për rezultatin e zgjedhjeve të 2020-ës”, tha Soros.
Filantropi tha gjithashtu se kishte në plan të investonte 1 miliardë dollarë për të ngritur një rrjet universitar ku do të promovohej mendimi kritik. Por shtoi se Pekini dhe Uashingtoni janë kërcënimet më të madh ndaj “shoqërive të hapura”, siç është edhe emri i fondacionit të tij.
Soros, një hebre që mbijetoi gjatë pushtimit nazist të Hungarisë duke fshehur identitetin, u bë famëkeq për përfshirjen e tij gjatë zhvlerësimit të paundit britanik në fillim të viteve ’90, të njohur si “e mërkura e zezë”. Aktiviteti i tij në Europë dhe në botë ka ndarë opinionin kundrejt tij.
Ai ka shpenzuar miliarda dollarë duke ngritur projekte për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe demokracinë liberale por është kritikuar shpesh nga grupimet me pikëpamje të djathta.