Kryesore Kobe Bryant, historia e pazakontë e një “italiani” që fitoi gjithçka në...

Kobe Bryant, historia e pazakontë e një “italiani” që fitoi gjithçka në NBA

Vdekja e 41-vjeçarit Kobe Bryant ka shokuar botën e sportit dhe jo vetëm. Për shumë sportdashës, ai ishte një nga personazhet më të adhuruara të basketbollit, ndërkohë që statistikat e konfirmojnë si një prej lojtarëve më të rëndësishëm të të gjitha kohërave.

I lindur në Filadelfia, Bryant u zhvendos nga Filadelfia në Itali në moshën gjashtë vjeçare, kur babai i tij u tërhoq nga NBA dhe vazhdoi karrierën e tij në një ligë italiane. Gjatë kohës që qëndroi në Rieti, Itali, Kobe filloi lidhjen e tij të përjetshme të dashurisë me futbollin dhe mësoi rrjedhshëm italisht.

Për 7 vjet Kobe jeton në Itali, nga mosha 6 deri në 13 vjeç, dhe ende fliste një italishte perfekte, madje me vendin fqinj e lidhte edhe pasioni për Milanin.

Bryant ishte tifoz i Milanit, që e ndiqte nga adoleshenca e kaluar në Itali

I rikthyer në SHBA, Bryant zgjidhet në draft nga Charlotte Hornets në 1996, por ata nuk i besojnë dhe e shesin menjëherë Los Angeles Lakers. Do të jetë “thesari” i ekipit kalifornian.

Në vitin 2000 së bashku me një tjetër legjendë si Shaquille O’Neal fiton kampionatin e parë në NBA, triumf që përsëritet në dy sezonet pasuese, duke skalitur në ar emrat e tyre në historinë e këtij sporti.

Pas një periudhe më të vështirë, edhe jashtë parketit, me akuzat e ngacmimit seksual që për disa kohë i larguan pjesë të fansave dhe pothuajse të gjithë sponsorët, Kobe u rikthye me dy fitore të njëpasnjëshme në 2009 dhe 2010, duke filluar të vendosë rekorde mbi rekorde.

Përshëndetja e tij në ndeshjen e fundit në karrierë mbetet nga momentet më emocionuese të atij sporti, me Bryant që firmos 60 pikë në sfidën kundër Utah Jazz. Diçka jo e rrallë për djaloshin që kishte firmosur edhe 81 pikë në një ndeshje kundër Toronto Raptors në 2006.

Kobe nuk ndaloi së mbledhuri trofe kur karriera e tij mbaroi. Ai e mori atë në nivelin tjetër në vitin 2018 kur fitoi një Oscar për filmin më të mirë të shkurtër të animuar për filmin gjashtë-minutash bazuar në një poezi që ai e shkroi dhe që u botua në Tribune “The Players” në vitin 2015.

Përtej basketbollit, një nga pasionet e mëdha të tij ishin udhëtimet me helikopter. Pasioni që e largoi nga jeta dhe nga të gjithë fansat.

Një nga pasionet e tij ishte helikopteri, pikërisht mjeti ku humbi jetën.