Politika Integrimi dhe ushtria, të parat në axhendën e takimeve të ambasadores amerikane

Integrimi dhe ushtria, të parat në axhendën e takimeve të ambasadores amerikane

Yuri Kim, ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka nisur sot valën e takimeve me përfaqësuesit politikë në vend, për të diskutuar për perspektivën europiane të vendit, por edhe reformat për sundimin e ligjit.

Fillimisht përfaqësuesja e re e Uashingtonit un takua me Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Sipas një njoftimi të ministrisë së jashtme, Cakaj dhe Kim diskutuan gjerësisht çështje që lidhen me angazhimin e Shqipërisë për çeljen e negociatave me BE-në, kryesimin e OSBE-së dhe marrjen e ulëses jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit në vitin 2022.

“Mirënjohës për mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për reformat e brendshme dhe forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë. SHBA-ja është partner i pazëvendësueshëm politik e strategjik për Shqipërinë!”, shkruan Cakaj në një postim në rrjetin social Facebook.

Më pas, Kim i ka shkuar në zyrë ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, të cilën e takonte për të dytën herë, pas një bashkëbisedimi në Pentagon, vitin e kaluar, kur Ambasadorja Kim ishte pjesë e stafit të Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes.

“Është fat për ne, që SHBA përfaqësohen në Shqipëri me një zonjë të kalibrit të Ambasadores Kim dhe jam optimiste që falë punës e angazhimit të saj, bashkëpunimi e partneriteti mes departamenteve tona të mbrojtjes do të vijojë e do të fuqizohet akoma më shumë, duke ndihmuar në modernizimin e FA dhe duke i mundësuar Shqipërisë të japë një kontribut gjithmonë e më të madh për sigurinë, stabilitetin e paqen krah për krah aleatëve tanë amerikanë”, shkruan Xhaçka në një postim në Facebook.

Pas marrjes së letrave kredenciale nga Presidenti Ilir Meta, ambasadorja e re e SHBA takoi edhe ambasadorin e delegacionit të BE në Shqipëri, duke u shprehur e gatshme të bashkëpunojë me të në këtë vit të cilin e konsideron si të rëndësishëm për perspektivën europiane të Shqipërisë.