Kryesore Athina bën fqinjen e mirë: Shqipëria ka përmbushur kushtet, të hapen negociatat

Athina bën fqinjen e mirë: Shqipëria ka përmbushur kushtet, të hapen negociatat

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, ka kërkuar hapjen e negociatave me Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur, duke theksuar se vendi ynë ka përmbushur të gjitha kushtet.

Gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm kroat, Gordan Radman, Nikos Dendias i ofroi Koracisë ndihmën e Greqisë për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë presidencës së BE-së.

“Integrimi i Ballkanit përbën një qëllim strategjik për Greqinë, që nga Samiti i Selanikut, në vitin 2003. Ne jemi të bindur se kjo është mënyra më e mirë për të promovuar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin tonë”, u shpreh ministri i Jashtëm grek. “Natyrisht, ne mezi presim Samitin e Zagrebit për të marrë dritën jeshile për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, u shpreh Dendias.

Sipas Athinës, Tirana dhe Shkupi i kanë përmbushur kushtet e kërkuara.

“Vendimi për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të merret sa më shpejt të jetë e mundur është e rëndësishme, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e reformave në të dyja vendet, si dhe stabiliteti në rajon. Sigurisht kushtet e kërkuara janë përmbushur”, u shpreh Dendias.

Deklarata e ministrit grek vjen pas një takimi në Bruksel midis kryeministrit grek Qiriakos Mitsotaqis me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, ku diskutuan për çështjen e negociatave.

Në ditët në vijim, Michel do të takohet me të gjithë liderët e vendeve anëtare për të dalë me një propozim përfundimtar për hapjen e negociatave në samitin e Këshillit të BE-së në mars.

Për Greqinë, kushti kryesor për negociatat ka qenë respektimi i të drejtave të minoritetit grek në vendin tonë, duke kërcënuar disa herë me vendosjen e vetos. Por deklarataa e fundit e kreut të diplomacisë greke dërgon një sinjal pozitiv se këto mosmarrëveshje duket se po shkojnë drejt zgjidhjes.