Nuk është e zorshme të vijëzosh profilin e një njeriu si Adriatik Llalla. Është tipiku i njerëzve që në Shqipëri bëjnë karrierë nga njohjet dhe lidhjet që kanë me politikën dhe për arsyen e thjeshtë se i shërbejnë asaj. Ai nuk është një përjashtim në mënyrën si i ka ngjitur shkallët e karrierës: nga vartës i Theodhori Sollakut (ish-kryeprokuror) në selinë e ILKPD-së, ku harxhonte 1 milion euro në vit taksa të shqiptarëve për të mbledhur deklarata pasurie që i arkivonte pa bërë asnjë hetim me rëndësi, deri tek momenti kur i duhej mazhorancës në pushtet (PD-LSI) për të marrë zyrën e kryeprokurorit.
Ai erdhi në krye të prokurorisë për të qenë i binduri i politikës, pasi paraardhësja e tij, Ina Rama, ishte bërë shumë “grindavece”, ishte bërë shumë “proamerikane”, dhe po i krijonte shqetësime pushtetit. Historia e tranzicionit shqiptar ka treguar se ata që kanë pushtetin politik nuk duan t’u hyjë gjemb në këmbë nga pushtetet e tjera vërdallë, por t’i kenë ato si qentë e bindur.
A ishte Llalla një rast i tillë?!
As vetë ai nuk mund ta kundërshtojë këtë konstatim. Sikur të kishte një argument për ta kundërshtuar! Madje, para se të shkonte në atë zyrë, ai i kishte dhënë provat e të bindurit, duke fjetur pesë vite rresht në zyrën e kryeinspektoriatit të pasurive, ku gjëja më e madhe që bëri ishte gjobitja e disa zyrtarëve apo deputetëve se kishin harruar të deklaronin pasurinë. Asnjë hetim të madh për pasuritë e tyre! Asnjë padi penale për fshehje pasurie!
Po pse u zgjodh në krye të Prokurorisë? Për të punuar?! Puna e tij e parë ishte mbyllja e dosjes së 21 janarit. Nuk u hetua për zhdukjen e provave të një prej krimeve më të rënda të kryera në demokraci, kur shtetarët dhanë urdhër të qëllohej drejt turmës së paarmatosur.
Më tej ai shpesh “llapi”, por asgjë nuk bëri konkretisht. A i mbani mend deklaratat e “frikshme” të tij kur paralajmëronte se në vjeshtë do ketë arrestime të mëdha, do të ketë dosje të forta…, etj… Çfarë ka ndodhur? Asgjë!
Mos duhet të quajmë punë një lajm të sajuar sikur po i kërcënohej familja? Që më pas doli se kjo bëhej për një vizë në SHBA, vizë që iu anulua nga Ambasada Amerikane.
Apo mos quhet punë se i gjuajti me shpullë njërit prej vartësve të tij (rasti i sherrit me Shkëlqim Hajdarin)?
E vetmja gjë për të cilën do të mbahet Llalla është mënyra se si sulmoi ballazi sot ambasadorin amerikan, duke e akuzuar si të lidhur me krimin. Shërbimi i fundit që po i bën politikës që e ka zgjedhur me votat e saj.
Edhe me këtë veprim të fundit ai po i shërben të njëjtës politikë që e zgjodhi. Ai është në të njëjtën linjë me ata që po kundërshtojnë Vetingun në Drejtësi dhe ndërhyrjen amerikane. Në një kohë kur ambasadori amerikan Donald Lu po sulmohet nga e djathta dhe mediat pranë së djathtës dhe LSI-së, Llalla thjesht po pozicionohet në anën e tij të llogores.