Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp paraditen e së hënës.
“Sot, jam këtu së bashku me Presidentin e PE, David Sassoli, i cili përveçse një ndër figurat më të rëndësishme të skenës politike në Bruksel, mund të them se është një mik i kahershëm i Shqipërisë dhe mbështetës i palëkundur i procesit të zgjerimit e integrimit të plotë të Shqipërisë në BE. Dua të theksoj se ka qënë për disa vite kryetar i grupit të miqve të Shqipërisë në PE, me një kontribut shumë të vyer në përpjekjen për të formësuar një imazh të vërtetë të Shqipërisë, duke u munduar në një luftë të vazhdueshme me paragjykimet, me ato çka jemi mësuar për vite me radhë, të përsëritura nga njerëz që nuk e njohin Shqipërinë, por e përdorin për axhendat e tyre politike”, tha Rama.
Nga Kryeministria, kreu i qeverisë tha se i ka shpjeguar Presidentit të PE-së paketën kundër KÇK-së: “Kemi folur për ligjin special, atë që quhet paketa kundër KÇK-së. I kam shpjeguar Presidentit të gjithë skemën e operacionit. E kemi treguar se sa seriozë jemi për të ndryshuar këtë vend, e kemi treguar me Reformën në Drejtësi dhe do ta tregojmë edhe me këtë operacion”.
“Kemi folur edhe për një gamë çështjesh të tjera. E falenderoj për mbështetjen, interesimin dhe angazhimin e tij për të na mbrojtur”, shtoi Rama.
Ndërsa Sassoli, në fjalën e tij, theksoi: “E kuptojmë zhgënjimin e shqiptarëve, por kemi parë që shoqëria shqiptare sheh ende me shpresë nga Bashkimi Evropian. Pati një ngadalësim në fund të vitit, por procesi i anëtarësimit duhet të rifillojë. Jemi të bindur që është vetëm një vonesë. Lufta kundër kriminalitetit, rekuperimi i kapitaleve, çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë, janë nisma që jo vetëm i shikojmë, por i mbështesim dhe janë të domosdoshme”.