Kuriozitete Shkencëtarët në kërkim të një emri për koronavirusin

Shkencëtarët në kërkim të një emri për koronavirusin

Koronavirusi ka shkaktuar mbi 400 të vdekur dhe mijëra të infektuar. Kina është vendosur në karantinë, por virusi i cili ka shpërthyer prej më shumë se një muaji nuk ka ende një emër të saktë. Mjekët dhe mediat i referohen si koronavirus. Por ky emër është thjesht grupi i viruseve të cilit i përket.

Sipas mediave, shkencëtarët i kanë vënë emrin 2019-nCoV, por për njerëzit e thjeshtë kjo është disi i komplikuar. Një grup shkencëtarësh po punojnë për t’i gjetur një emërtim të saktë. Ata janë shprehur për BBC-në se janë gati për ta gjetur emrin, por pse po zgjat kaq shumë?

“Emërtimi i një virusi zakonisht vonohet dhe fokusi tashmë është tek shëndeti i popullatës”, tha Crystal Watson, profesoreshë në Qendrën John Hopkins për Sigurinë Shëndetësore.

Ekspertët janë përpjekur ta ndajnë këtë virus nga të tjerët duke quajtur koronavirusi i ri. Sipas tyre emri i përkohshëm 2019-nCoV, nuk ka ngjitur tek njerëzit dhe mediat.

Detyra për të emërtuar virusin është e Komitetit Ndërkombëtar për Klasifikimin e Viruseve. Precedentët e mëparshëm e vështirësojnë disi punën e ekipit. Për shembull në 2009-n, virusi H1N1 u emërtua si gripi i derrit.

Kjo bëri që Egjipti të therë të gjithë derrat edhe pse sëmundja përhapej prej njerëzve dhe jo kafshëve. Prandaj emrat mund të sjellin problematika. Në 2015-n, Organizata Botërore e Shëndetit kritikoi emrin për virusin Mers (Sindroma e frymëmarrjes në Lindjen e Mesme).

Emërtimi duhet të ketë disa standarde. Prandaj për koronavirusin e ri nuk duhen përfshirë vendndodhjet gjeografike, emrat e njerëzve, emrat e pijeve ose kafshëve, apo referenca për një industri ose kulturë specifike.