Kryesore Kina: Kemi krijuar dy ilaçe kundër koronavirusit. OBSH frenon: Asgjë konkrete

Kina: Kemi krijuar dy ilaçe kundër koronavirusit. OBSH frenon: Asgjë konkrete

Kina pretendon se tashmë i ka gati dy ilaçe kundër koronavirusit. Shkencëtarët e Universitetit të Zhejiang thanë se ilaçet Abidol dhe Darunavir rezultuan efektive në provat paraprake për ndalimin e zhvillimit të virusit në organizëm.

Drejtuesja e ekipit shkencor mjekësor tha se zbulimi ishte bërë në rajonin e Hubeit, që është edhe epiqendra e koronavirusit, nga mjekët që punojnë për gjetjen e kurës.

Por pas kësaj deklarate, OBSH deklaroi se nuk ekziston ende ndonjë kurë kundër virusit. Testimet mjekësore nuk mund të cilësohen efikase dhe se nuk ka asgjë konkrete për të luftuar virusin.

Autoritetet kineze thonë se deri më tani kanë arritur të shërohen 898 pacientë të infektuar me koronavirus, të cilët iu nënshtruar terapive nëpër spitale. Deri më tani virusi është përhapur në 25 vende të botës. Numri i të vdekurve në gjithë globin ka arritur në 494, vetëm 2 jashtë territorit të Kinës.

Mbi 24 mijë e 500 janë të prekurit. Në Itali është konfirmuar edhe rasti i dytë i të infektuarve nga koronavirusi, ndërsa janë intensifikuar kontrollet në pikat kufitare. Krahas Italisë, edhe Gjermania, Britania e Franca po largojnë shtetasit e tyre nga Kina.