Revista Der Spiegel i ka marrë një intervistë ekspertit të sëmundjeve infektive, Jeremy Farrar, për të folur rreth përhapjes së koronavirusit të Kinës.
I njohur për paralajmërimet e tij për rrezikun e pandemive në një botë të globalizuar, Farrar deklaron se kufizimi i tanishëm i virusit të Kinës, ka ardhur si pasojë e aftësive të kësaj të fundit për të mbajtur në karantinë 50 milionë njerëz në Wuhan. Por koronavirusi është një varietet i ri dhe i panjohur për trupin e njeriut dhe aktualisht ka vrarë më shumë sesa virusi SARS i vitit 2002.
“Besoj se më e keqja mund ende të ndalet. Por ne duhet të kemi parasysh se: për sistemin tonë imunitar ky virus është i ri, një kundërshtar i panjohur që transmetohet nga njeriu te njeriu. Dhe mund të shkaktojë gjithçka. Ky kombinim e bën këtë virus shumë të vështirë për t’u kontrolluar. Kjo sëmundje e re e mushkërive nuk do të zhduket po aq shpejt sa SARS”, thekson Farrar.
Ai ka folur edhe për aspektin financiar të sëmundjes. Sipas kërkuesit në fjalë një goditje si kjo në Wuhan të Kinës, do të vinte në vështirësi edhe vende si Singapori, apo Gjermania që kanë sisteme shumë të mira shëndetësore. Në vende të tjera, më të varfra, edhe një epidemi më e vogël do të ishte shkatërrimtare.
“Një tjetër problem shumë shqetësues është pamundësia për të identifikuar burimin. Farrar e ka cilësuar si të tillë rastin e një pacienti nga Koreja e Jugut që kishte vizituar Tajlandën, por që nuk kishte qenë në kontakt me asnjë nga Kina: Sërish i infektuar. Lidhur me mënyrën e reagimit të autoriteteve kineze, ai ka bërë thirrje që mediat të jenë të kujdesshme. U konstatuan disa raste të çuditshme pneumonie, por në çdo rast kjo nuk mund të çojë në shpalljen e emergjencës.
Po çfarë do të ndodhë nëse virusi kalon në pandemi globale?
“Nëse virusi përshpejton përhapjen jashtë Kinës, masat e një karantine strikte që po aplikohen tani duhen ndalur. Në atë moment, ne do të hyjmë në një fazë të re”, tha Farrar.