Pas largimit të saj nga qeveria, Besa Shahini thotë se në bindjet ideologjike ajo është më e majtë se Edi Rama dhe PS. Sipas saj, PS shqiptare nuk është një e majtë e vjetër dhe populiste, por është më centriste se do të donte ajo.
“Unë jam më e majtë në ideologji se sa e majta e Ramës. PS nuk është e majta e vjetër apo ajo populiste, është një e majtë centriste, por jo aq sa do të doja unë. Kjo nuk ka qenë problem apo ja ndarje mes meje dhe Ramës, pasi mes nesh nuk ka ndarje” – u shpreh Shahini në “Open”.
Ajo tha se nuk do të largohet nga qeveria e Edi Ramës për tu kthyer në Lëvizjen Vetëvendosje, si një ish-mbështetëse e saj.
“Kam mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje. Ka qenë një organizatë që ka artikuluar një të majtë të re dhe që ka artikuluar për Bashkimin Kombëtar. Por kur neve na erdhi oferta, VV ka bërë çdo gjë që në të mos vinin në politikë në Shqipëri.
Kur erdhi në qeveri hoqi dorë nga artikulimi i bashkimit kombëtar. Kjo më ka bërë skeptike për artikulimin e tyre për bashkim. Unë e di që nuk bëhet bashkimi me një marrëveshje, por kur heq dorë nga artikulimi atëherë nuk ndodh kurrë. Largohem nga PS për të shkuar në VV? Jo. Absolutisht Jo” – tha Shahini. E pyetur për plane të tjera ajo tha se “do marrë kohë për të vendosur se ku do angazhohet”.