Kryeministri Edi Rama mbërriti me fuoristradën “Lincoln” pranë Tv Klan për të marrë pjesë në emisionin “Opinion”, automjet për të cilin opozita ka deklaruar se është i blinduar.
I pyetur nga drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu nëse fuoristrada me targa TR 0370 T është e blinduar, Kryeministri Rama e ka mohuar një gjë të tillë.
Duke iu përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike, që denoncoi se ky automjet i përket vëllait të tij Olsi Rama, Kryeministri u shpreh se këtë makinë e ka në pronësi që prej vitit 2009 dhe ia ka dhuruar vëllai i tij.
Kryeministri Edi Rama: Këtu na prezantove njerëz të fushës. Njëri nga të fushës duhet të çohet nga studio dhe duhet të shkojë të verifikojë është e blinduar apo jo. Një nga ata të fushës të çohet për t’i shërbyer telespektatorëve të cilëve ju kanë thënë që makina është e blinduar.
Artan Hoxha: Jo, nuk është e blinduar.
Kryeministri Edi Rama: Nëse opozita konsiderohet burim i së vërtetës, ky është një problem i madh. Minimumi që bën gazeta është të thotë, sipas opozitës, e blinduar. Maksimumi që bën është verifikon. Makina nuk është e blinduar. Makina është qysh në vitin 2009. Ma ka sjellë im vëlla kur kam qenë në opozitë, ashtu sikundër makina që unë përdor si Kryeministër nuk është e blinduar. Ka dalë një lajm që kam blerë makinë të re qindra mijëra Euro. Në fakt kam çuar makinë në servis dhe kam marrë me qira një makinë nga servisi. Përdor atë makinë se nuk kam dashur t’i kushtoj para, dhe i them këto duke përfituar nga audienca që është e mbushur me gënjeshtra, që me këtë rast ta mësojnë të gjithë që unë s’kam asnjë makinë të blerë si Kryeministër. Makina që thonë që është Benz i ri është me qira në përdorim siç e jep servisi kur dorëzon një makinë tjetër.