“Marrëdhëniet e Ilir Metës me SHBA-në kanë qenë dhe janë më të shkëlqyera”. Është kjo përgjigjja që dha presidenti Ilir Meta teksa u pyet nga gazetarët nëse i ka sheshuar marrëdhëniet e tij me ambasadoren amerikane Yuri Kim.
“Marrëdhëniet e Metës me SHBA kanë qenë e janë më të shkëlqyera se SHBA është me popullin e Shqipërisë dhe populli shqiptar do i tregojë se edhe SHBA-së se beson te demokracia dhe në këtë mënyrë ato do jenë të kënaqura që Shqipëria të çelë negociata me BE”.
Nga Fieri kreu i shtetit i bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të zgjedhin alternativë që ata besojnë se i përfaqëson.
“I ftoj të gjithë shqiptarët të votojnë për alternativën e duhur dhe brenda kësaj alternative të zgjedhin kandidatin që kanë besim se do mbrojë interesin qytetar publik dhe kombëtar. Jam optimist që njerëzit të kthehet te kutitë e votimit dhe shumë qytetarë që kishin qenë paradite për shkak të radhëve ishin kthyer. Çdo shqiptar e kupton rëndësinë për të thënë fjalën e tij dhe për të patur të drejtë përmes votës që të kërkojë llogari ndaj qeverisë së re dhe presidentit të ri që do të zgjidhet nga parlamenti i ri. Është momenti për të vendosur llogaridhënie dhe kjo realizohet përmes votës. I ftoj të gjithë qytetarët jo vetëm ata që nuk kanë votuar por edhe ata që nuk kanë patur mundësi të thonë fjalën e tyre dhe në mënyrë të veçantë të rinjtë e të rejat që të tregojnë se Shqipëria është e tyre dhe ka nevojë për votën e tyre dhe energjinë e tyre dhe besimin te e ardhmja europiane”.
Sipas Metës mbarëvajtja e këtij procesi do të kontribuojë për çeljen e negociatave dhe këto zgjedhje sipas tij janë test i rëndësishëm për integrimin.
“Mbarëvajtja e këtij procesi do jetë kontribut për çeljen e negociatave dhe do na rikthejë në normalitetin e domosdoshëm të institucioneve në vend dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë. Falënderim për mediat, të vazhdojnë këtë informim, sepse në këtë mënyrë ne japim një mesazh të shkëlqyer botës demokratike dhe BE për të cilin zgjedhjet janë test i rëndësishëm dhe ne do ta kalojmë sa më mirë si popull europian”.