Prej ditësh jemi mbërthyer nga ankthi për koronavirusin i cili tashmë është përhapur në vende të ndryshme të botës. Një tjetër shqetësim për vendin tonë janë edhe produktet që blejmë online nga Kina.
Për mjekun infeksionist Tritan Kalo gjasat që virusi të përhapet nga porositë janë shumë të pakta.
“Viruset kur rrinë në kontakt me oksigjenin përgjithësisht dëmtohen, duke marrë më të thjeshtën. Virusi i HIV-it, hepatitit, 3 orë nëse qëndron i ekspozuar në dritë dhe temperaturës së mjedisit shkatërrohet, pra edhe nëse ky virus ka rënë në kontakt me porositë që janë marrë nga udhëtimi i gjatë , nga kontakti që ka me oksigjenin, pothuajse nuk ka asnjë gjasë që të mbijetojë. Mos marrim produkte ushqimore se edhe vetë kinezët i kanë ndërprerë në tregtimin e tyre”, është shprehur ai.
Ndër të tjera, mjeku thekson se nga koronavirusi duhet të mbrohemi njëjtë si mbrohemi nga gripi, duke qenë se mendohet që është një infeksion që përhapet njëjtë si gripi.