Spekulimet rreth të ardhmes politike të Presidentit rus Vladimir Putin, u qartësuan këtë javë. Udhëheqësi rus shfrytëzoi autoritetin e tij për të ndryshuar kushtetutën e tanishme ruse duke hequr kufirin e mandateve presidenciale. Kjo lëvizje i mundëson atij të qëndrojë në pushtet pas mbarimit të mandatit aktual në vitin 2024.
Për javë të tëra, ligjvënësit diskutuan amendamentet e kushtetutës, të cilat Presidenti Vladimir Putin tha se duhet t’i japin më shumë fuqi parlamentit.
Por befasia ndodhi kur anëtarët e Dumës në vend që të dalin me një ide më të mirë, propozuan rritjen e fuqisë së Putinit.
“Rekomandoj që të heqim kufirin e mandateve presidenciale, ose të shtojmë një nen në kushtetutë që thotë se kur ndryshimet kushtetuese hyjnë në fuqi presidenti në detyrë ka të drejtë të zgjidhet president si çdo qytetar tjetër”, tha Valentina Tereshkova, ligjvënëse ruse.
Nisma ishte e koordinuar mirë me Kremlinin. Presidenti Putin shfaqi mbështetje të menjëhershme.
“Në parim, ky opsion është një mundësi, por me një kusht. Nëse gjykata kushtetuese jep vlerësim zyrtar se ky amendament nuk bie ndesh me parimet dhe dispozitat kryesore të kushtetutës”, tha zoti Putin.
Ky ndryshim i jep mundësi atij që të mbajë postin e presidentit për dy mandate tjera, deri në vitin 2036, gjë që e bën atë udhëheqësin më jetëgjatë në historinë ruse.
Kritikët e cilësuan lëvizjen si grabitje të pushtetit.
“Nuk pati debat të duhur, as diskutime politike. Ishte si një grusht shteti, por askush nuk e pa ashtu, sepse njerëzit thonë nëse autoritetet më të larta e duan këtë, çfarë mund të bëjmë ne”, thotë analisti Boris Kagarlitsky.
Disa protestues në Moskë e cilësuan këtë një përpjekje të Putinit për t’u bërë president i përjetshëm.
Sidoqoftë tubimet e mëdha të opozitës janë penguar, pas rregullit të ri që ndalon grumbullimet me arsye shqetësimet për koronavirusin.
Analistët thonë se prapa lëvizjeve të zotit Putin qëndron elita e Rusisë që nuk është e gatshme të ndahet nga epoka e tij, por edhe nga përfitimet që erdhën me të.
“Shumë njerëz mendojnë se Putini dëshiron të mbajë pushtetin përgjithmonë. Ndoshta dëshiron, por nuk do ta bëjë për arsye shëndetësore. Nuk ka të bëjë me Putinin. Ka të bëjë me procesin e ndryshimeve, gjë që ata s’mund ta bëjnë në rrugë të ligjore”, thotë Boris Kagarlitsky, analist politik.
Propozimi i ri u miratua njëzëri në parlament dhe tani pritet nënshkrimi i zotit Putin. Kjo, përpara zgjedhjeve kombëtare muajin e ardhshëm të cilat pritet t’i fitojë sërish zoti Putin, njeriu që udhëheq Rusinë prej 20 vitesh./VOA