Askund në BE nuk dëgjon kritika më të forta ndaj BQE sa në Gjermani. Bankën e kritikojnë se shpronëson gjermanët e rishpërndan pasurinë në Evropë. Kjo pritej që kur Gjermania la Dojçmarkën për Euron, shkruan Auron Dodi.
Nga Auron Dodi*
Valë zemërimi e revolte po kalojnë në Gjermani ndaj Bankës Qendrore Evropiane (BQE). Njëherë ato ngrihen në tabloiden Bild-Zeitung, që e nxjerr si vampir që thith kursimet e gjermanëve Presidentin e fundit të Bankës, italianin Mario Draghi. Shtrihen pastaj në protesta politikanësh, ekonomistësh dhe të mediave, se politikat e Bankës po i shpronësojnë gjermanët. Dhe përfshijnë në vorbull edhe bankierë të njohur të bankave qendrore evropiane: ata protestojnë publikisht se Banka Qendrore Evropiane ka kaluar kufirin: me blerjen e borxheve ajo po financon shtetet e jugut të Evropës.
Revolta e gjermanëve ndaj një institucioni të pavarur qendror evropian është më e madhja në BE. Ajo është e pazakontë për Gjermaninë, aq sa vëzhgues të shqetësuar kujtojnë madje fillimin e armiqësisë 30 vjeçare të Britanisë së Madhe me Bashkimin Evropian.
Draghi ndez valën aktuale të protestave
Nga njëra anë revolta nxitet nga pasiguria se ku do ta çojnë Eurozonën politikat e “përmbytjes së tregut” me para nga Banka Qendrore Evropiane. Për Eurozonën ky instrument përdoret për herë të parë. Nga ana tjetër protesta ndizet nga përvoja reale e dhimbshme e të prekurve, që përjetojnë se kursimet e jetës e humbasin vlerën, sepse interesat bankare janë minimale.
Në 1 nëntor nisi mandatin në Frankfurt mbi Main Presidentja e re e Bankës Qendrore Evropiane, francezja Christine Lagarde. Në disa prononcime ajo ka deklaruar se e mbështet frymën e politikës së paraardhësit Mario Draghi.
Por ashpërsinë aktuale kritikat në Gjermani e morën pas vendimit të fundit të ish-Presidentit Mario Draghi: për të ulur normën orientuese të interesit të Bankës Qendrore Evropiane në negative, në 0,5 përqind; si dhe për të rinisur blerjen e huave shtetërore (të vendeve me probleme ekonomike), në shumën 20 miliardë euro. Pas kësaj, një anëtare gjermane e bordit drejtues të BQE, Sabine Lautenschläger, dha dorëheqjen. Ajo është përfaqësuesja e tretë e Gjermanisë që jep dorëheqjen, në një kohë që dorëheqje nuk ka dhënë askush nga përfaqësuesit e 18 shteteve të tjera të Eurozonës.
Edhe në Gjermani, politika ia njeh Draghit meritën që e stabilizoi Euron në turbullirat pas krizës financiare të vitit 2008. Këtë ai e arriti praktikisht me tre fjalë të një fjalie, thonë në Gjermani, që u bënë të famshme sepse rikthyen besimin e tregjeve te monedha e përbashkët: ato qenë “çfarëdo që të nevojitet”. “Brenda mandatit tonë ne jemi të gatshëm të bëjmë çfarëdo që të nevojitet për të mbrojtur euron. Dhe më besoni, do të jetë mjaft”, tha Draghi (26.07.2012).
Kjo vlerësohet si pikë kthese në shpëtimin e Euros, në krizën më të rrezikshme për monedhën e përbashkët.
Çfarë kritikojnë gjermanët?
Më fort, në Gjermani (dhe në disa shtete të tjera si në Austri e Holandë) ekonomistët dhe media kritikojnë blerjen e huave shtetërore nga Banka Qendrore Evropiane. Ky financim monetar i shteteve në krizë nuk i nxit ato të ndërmarrin reforma të nevojshme, strukturore.
Kritika e dytë vjen për objektivin e Bankës Qendrore Evropiane: për ta ngritur në plan afatmesëm inflacionin në Eurozonë në kuotën 2.0 përqind, nga 0,9 përqind sa është tani.
Inflacioni i ulët i mban edhe çmimet më të ulëta. Banka thotë se kur kjo ndodh për një kohë të gjatë dhe gjerësisht mund ta frenojë ekonominë, sepse sipërmarrjet dhe konsumatorët nuk investojnë.
Prandaj, për t’i nxitur sipërmarrjet për investime, BQE e mban normën orientuese të interesit tek zero përqind.
Por një politikë e nxitjes së inflacionit zgjon sidomos te gjermanët e shkolluar, traumën e hiperinflacionit të tmerrshëm të vitit 1923 në Gjermani. Me interesat minimale bankare, Banka Qendrore Evropiane po i shpronëson sot gjermanët si atëherë shteti, është ankesa më e përhapur.
Ndjesia shumëfishohet nga kujtesa historike, pasi gjermanët kanë edhe sot tendencën të mos i rrezikojnë kursimet (investojnë pak në aksione). Edhe bankat dhe shoqëritë e sigurimeve vuajnë nga interesat negative bankare. Ato kanë nisur t’u kërkojnë njerëzve të paguajnë që t’ua administrojnë paratë – dhe kjo shkakton indinjatë. Sasia e madhe e Eurove në qarkullim, ide e Draghit, shihet më tej si nxitëse për flluskat në tregun e pasurive të paluajtshme në Gjermani.
A po bën BQE shpërndarje të re të pasurisë nga Veriu drejt Jugut të Evropës?
Në njëfarë mënyre po. Bankën Qendrore Evropiane e kritikojnë se në fakt e ka zgjeruar fshehtas mandatin. Ajo po financon praktikisht me para edhe të Veriut shtetet me probleme në jug të Evropës: duke ua blerë atyre borxhet, kryesisht huatë shtetërore. Disa analistë arrijnë në përfundimin se edhe me detyrimet e pafundme që u vë Banka Qendrore Evropiane Bankave Qendrore nacionale, po kryen praktikisht një “transfertë në hije” të kapitalit nga Veriu më i pasur, nga Gjermania, drejt jugut të Evropës.
Mbrojtësit e politikës së Bankës thonë se ulja e interesave bankare nga BQE ka rigjallëruar ekonominë dhe pakësuar kështu papunësinë. Christine Lagarde deklaroi në një intervistë para nisjes së mandatit, se “duhet të jemi më të lumtur të kemi një vend pune, se sa të mbrojmë kursimet”.
Por, këtë logjikë kuptohet se nuk e dëgjojnë me dëshirë ata që kanë pasur p.sh. sigurime të jetës apo kursime për pleqërinë, që tani u ka rënë vlera. “Shpëtimtari i lig”, e cilësoi këto ditë Draghin televizioni publik gjerman ZDF. ZDF tha këto ditë se familjet gjermane kanë humbur prej 2011 deri 2019, për shkak të interesave të ulëta bankare, 344 miliardë Euro neto. Vërtet që kreditë me interesa më të ulëta u kanë kursyer gjermanëve 281 miliardë euro. Por kjo vetëm sa ka zbutur humbjen totale, që në fakt ka qenë 625 miliardë euro humbje bruto.
Qeveria gjermane: mbështetje në heshtje e politikave të BQE
Politikat e nisura nga Banka Qendrore Evropiane me Draghin janë të diskutueshme edhe për ekonomistë të pavarur. Por qeveria gjermane i ka mbështetur ato (heshturazi). Kritikat nga politika e lartë gjermane kanë ardhur duke u pakësuar. Kjo në një kohë kur jo më larg se viti 2016, ministri i Financave të Gjermanisë, Wolfgang Schäuble e akuzoi BQE se po forcon ekstremin e djathtë me politikën e saj .
Konsensusi në politikën gjermane mbetet: që Gjermania nuk duhet të marrë rolin e financuesit të një “unioni të transfertave”. Në këtë kuadër, Gjermania ka pranuar vetëm një buxhet minimal për Eurozonën, jo në përmasat siç e kërkoi atë Emmanuel Macroni. Një buxhet më i madh për 19 shtetet e eurozonës do të kërkonte edhe struktura politike, që do të përcaktonin politikat fiskale.
Por për disa vëzhgues, ky përfundim i ndërtimit të Euros, do t’i ofronte Francës tërthorazi edhe mundësinë që ta lëkundte pozicionin e fortë të Gjermanisë ndaj konkurrencës, të cilin Gjermania e ka siguruar që me themelimin e eurozonës.
Me mbështetjen e politikave të Bankës Qendrore Evropiane, qeveria Merkel vazhdon traditën e nisur që kur Gjermania nën Helmut Kohlin ra dakord të braktisë Dojçmarkën për Euron. Megjithëse nuk u deklarua, për ekonomistët që atëherë ishte e qartë se braktisja e Dojçmarkës dhe përqafimi i Euros në Bashkimin Evropian, në një organizatë shtetesh me fuqi të ndryshme ekonomike, do të kërkonte dikur transferta kapitali, në dobi të bashkësisë: nga Gjermania më e fuqishme, tek të tjerët.
Helmut Kohli pranoi të braktiste simbolin e fuqisë ekonomike gjermane, Dojçmarkën, që Franca me François Miterrand-in të jepte dakordimin për ribashkimin e Gjermanisë.
Me monedhën e përbashkët në BE, Gjermania do të lidhej me Evropën dhe nuk do të synonte ta kthente atë në Evropë “gjermane”. (Një shije të kësaj të fundit disa shtete të Eurozonës e përjetuan me politikat e kursimit (austerity) të kërkuara nga Gjermania në krizën e Eurozonës.)
Të gjitha qeveritë gjermane që atëherë e kanë të qartë: për tregtinë e fuqishme të saj, Bashkimi Evropian i ofron Gjermanisë një ambjent të sigurtë dhe stabilitet demokratik të rrallë. Rreth 40 përqind të mallrave Gjermania i eksporton në Eurozonë, ku ka të garantuar një fuqi blerëse të lartë. Monedha e përbashkët i eleminon Gjermanisë humbjet që do të vinin nga kurse jostabile këmbimi të monedhës. Prej kësaj vuajnë shtete me fuqi të ngjashme ekonomike, si p.sh. Japonia, që nuk kanë një kuadër gjeografik e ekonomik kaq të përshtatshëm sa Gjermania.
Këto elemente shpjegojnë faktin se pse edhe qeveria Merkel e mbështet kursin e Bankës Qendrore Evropiane: një shprehje e fortë solidariteti dhe përgjegjësie ndaj shtëpisë së përbashkët evropiane.
*DW