A të infekton kamerieri me koronavirus duke shërbyer kafenë?
Kjo ishte një nga pyetjet e shtruara nga Opinion të Blendi Fevziut, dhe përgjigja nga mjekët dhe specialistët e ftuar në panel, mes tyre doktor Arian Harxhi dhe Pëllumb Pipero përgjigja ishte “Po”.
Ata thanë se nëse një kamerier është i infektuar me koronavirus dhe ndërkohë të shërben, një kafe me duar ose diçka tjetër me mjetet që i ka prekur mund të të infektojë. Por gjithashtu edhe paraja, pra çdo gjë që preket.
“Prandaj insistojmë që të lahen duart”, tha doktor Harxhi. Larja e duarve është nga këshillat e OBSH dhe institucioneve shëndetësore. Gjithashtu shmangia e vendosjes së duarve në sy apo në hundë, si dhe teshtitje duke mbuluar pjesën e gojës me një kartpecetë e cila duhet të hidhet menjëherë në kosh apo në pamundësi duke vendosur pjesën e bërrylit për të mos lënë përhapjen e spërklave.
Frika është shtuar për shkak të situatës së koronavirusit në Itali, me 11 viktima, ndonëse ishin të moshuar mbi 70 vjeç të cilët kishin komplikacione të tjera shëndetësore.
Fatmirësisht në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirusi. Testet ndaj 13 të dyshuarve rezultuan negativë, siç bëri me dije ministria e Shëndetit me një deklaratë zyrtare për mediat.