Bashkë me Odise Roshin në konferencën për shtyp të kombëtares shqiptare ishte edhe mesfushori energjik, Amri Abrashi. Lojtari i Freiburg i cili njihet me nofkën “Pitbulli”. Abrashi i cili u rikthye në kombëtare madje shënoi golin e tretë në fitoren 0-3 ndaj Andorrës, ndihet mirë dhe shpreson të luajë në këto 2 sfida, ndërsa nuk preferoi të bënte krahasime mes Panuccit dhe Rejas.
Dëmtimi: “Kam nisur të luaj me Freiburg, në fund të sezonit kam ndier pak lodhje, por kam pasur pak ditë për pushim. Të shohim tani çfarë forme kam. Po të mos isha gati, nuk do isha këtu. Do jap gjithçka për ekipin, gjithçka është në dorën e trajnerit”.
Kombëtarja, një fillim i ri? “Kemi bërë shumë gabime, kemi marrë rezultate të mira e të këqija, tani kemi një trajner të ri dhe duam ta nisim mbarë me të”.
Reja dhe Panucci? “Nuk i krahasoj trajnerët, secili ka filozofinë e vet dhe rezultatet flasin vetë për ta”.
Sekreti i suksesit në kombëtare: “Shumë rëndësi ka që ekipi të qëndrojë sa më i bashkuar. Edhe kush nuk luan duhet të jetë gati për ekipin, pa qenë nervoz askush nëse nuk luan. Duhet dhënë zemra në fushë e në stërvitje, duke vrapuar pa fund”.