Tetë këngëtare dhe kërcimtare kanë akuzuar tenorin me famë botërore Placido Domingo se i ka ngacmuar seksualisht gjatë takimeve që kanë pasur me të përgjatë 30 viteve, duke filluar nga fundi i viteve 1980.
Femrat pretendojnë se ngacmimet kanë ndodhur në vende të ndryshme, përfshi edhe në zyrat e kompanive operistike ku tenori spanjoll mbante pozicione të larta drejtuese.
Një prej tyre e akuzon 78-vjeçarin se i ka futur duart poshtë fundit të saj, ndërsa tri të tjera kanë thënë se i ka detyruar ta puthnin në buzë në dhomën e ndërrimit, në një dhomë hoteli dhe gjatë një takimi për drekë.
Shumica e akuzave lidhen me periudhën kur Domingo ishte drejtues i Operës së Los Anxhelosit dhe Uashingtonit. Përveç tetë femrave që e akuzojnë drejtpërdrejtë, gjashtë të tjera kanë deklaruar për Associated Press se sjellja e tij i ka bërë të mos ndihen rehat, ndërsa thuajse 20 te tjera kanë deklaruar se kanë qenë dëshmitare të sjelljes së tij të pahijshme, që nuk është ndëshkuar asnjëherë.