Bota Abuzimet seksuale me fëmijët, Apple do të skanojë fotot në celularët “iPhone”

Abuzimet seksuale me fëmijët, Apple do të skanojë fotot në celularët “iPhone”

Gjigandi i teknologjisë, Apple, ka në plan të skanojë celularët “iPhone” për të gjurmuar për imazhe të abuzimeve seksuale me fëmijë.

Ky plan ka marrë përkrahje nga grupet e mbrojtjes së fëmijëve, por ka ngjallur shqetësime për sigurinë e të dhënave të përdoruesve.

Apple synon ta arrijë kontrollin për imazhe abuzive përmes një sistemi të quajtur “Neutral-Match”, i cili mund t’i pikasë fotografitë përpara ngarkimit të tyre në “iCloud”.

Kur programi pikas foto të dyshimta si pornografi me fëmijë, punonjësit i rishikojnë ato për një vendim përfundimtar: mbyllje llogarie dhe njoftim të autoriteteve lokale.

Paralelisht me një program tjetër, Apple synon të skanojë edhe mesazhet për përmbajtje që mund të sinjalizojnë për abuzim me fëmijët.

Studiuesi i kriptografisë në Universitetin John Hopkins, Matthew Green, ka paralajmëruar se sistemi mund të keqpërdoret duke shantazhuar persona të pafajshëm përmes dërgimit të fotografive me pornografi fëmijësh. Kjo sipas tij mund të gënjejë algoritmet e Apple dhe të paralajmërojë autoritetet për një rrethanë të paqenë.

Apple ka qenë vazhdimisht nën trysninë e autoriteteve amerikane për të mundësuar mbikëqyrjen e të dhënave të kriptuara – vetëm dërguesit dhe marrësit e të dhënave mund t’i qasin ato. Mirëpo plani i fundit mund të thyejë balancën për sa i përket luftës ndaj abuzimit seksual ndaj fëmijëve dhe sigurisë së privatësisë së përdoruesve.

Nga shoqata që mbrojnë të drejtën e privatësisë online kjo nismë është konsideruar si thyerje e besimit të përdoruesve, ndërkohë nga ata që mbrojnë të drejtat e fëmijëve nisma është përshëndetur.

Shoqatat që mbrojnë viktimat e abuzimeve seksuale besojnë se sistemi mund të parandalojë rastet.

Apple deklaroi se plani i ri do të jenë pjesë e përditësimeve të sistemeve operative që do të bëhen gjatë këtij viti për iPhone, Mac dhe orët Apple.