Në mbledhjen e mëngjesit të qeverisë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi burg këtej e tutje për të gjithë ata që do abuzojnë me lejet e ndërtimit. Nisur nga ajo çfarë ndodhi me shembjen e disa pallateve e godinave, Rama tha se tashmë ligjit duhet të veprojë ashpër.
Burg 7-15 vite për të gjithë ata ndërtues apo projektues që nuk zbatojnë ligjin.
Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e sotme të qeverisë deklaroi se sanksionet do të jenë të tmerrshme për ata që ndërtojnë për qëllime fitimi. Sipas kreut të qeverisë ndërtimet në zonën e ish-kënetës nuk duhet të ishin lejuar.
“Po përgatisim edhe një akt për dënimin, për të përcaktuar qartësisht dhe përfundimisht dhe fatkeqësisht për ta mbyllur me 50 viktima këtë debat 30 vjet që unë e kam humbur për 30 vjet rresht, debatin e burgosjes të çdo individi që merr leje ndërtimi me emrin e tij apo që është investitor dhe pronar i një kompanie ndërtimi që le pas një ndërtim që ka shkelje në ekzekutim, 7-15 vjet dhe mos ta diskutojë njeri fare, çdo ndërtues, çdo investitor, çdo person i përfshirë në ndërtime që leja i jepet për 3 kate dhe përfundon në 8 kate. Këto janë ato që kanë ndodhur në të shkuarën dhe nuk do të ndodhin në të ardhmen.
Për sa i përket nxjerrjen e përgjegjësive, etj, duhet të shohim inventarin një herë sepse rezulton përsëri, ne ishim në Lezhe dje ishim në një kontrast aty për aty. Pallati me silikate i marrë dhe i bërë si ajo përralla e famshme “Koka e dhelprës, trupi i ujkut, bishti i palloit, këmbët e kalit” që ishte kthyer në mankth dhe mbi të pallati tjetër 13 apo 17 kate. Pra kjo nuk është historia e pallateve që janë ndërtuar pas vitit ‘90 , kjo historia e tmerrshme e abuzivizmit dhe i një abuzivizmi që ka qenë kolektiv, popullor”.
Gjithashtu, kryeministri nënvijëzoi që arkitektët duhet të kthehen në rojtar apo denoncues për projektet e tyre kur ndërtuesit ju ndërhyn për të ndryshuar projektin dhe jo të bëhen palë më të.
“Ama për ata që ndërtojnë për qëllime ndërtimi dhe fitojnë nga ndërtimi, sanksionet do të jenë të tmerrshme dhe do të jenë pa fare për gjykatësit për të thënë shiko se nuk ishte ky por ishte ai. Burg për ndërtuesit, burg për arkitektet, burg për supervizorët. Arkitektët që nuk denoncojnë ndërtuesin që ju deformon projektin dhe që bëhen bashkëpunëtor. Kanë bërë projektin dhe ai thotë tani ma bej edhe një kat tjetër ti mua që të jap ty me shumë leje ndërtimi. Ata duhet të jenë roje të projekteve të tyre që do ta denoncojnë ndërtuesin që ju kërkon të prishin projektin e tyre dhe duke vënë në rrezik strukturën, po ashtu edhe për supervizorët, po ashtu edhe për ata kompani private që japin firma që kjo është në rregull dhe ajo është në rregull. Por ky akt është në rrugë e sipër duke u përgatitur”, e mbylli fjalën e tij kryeministri Rama.
Ndërkohë, nuk ka ende ndonjë vendim nëse do hetohen rastet e shembjes së pallateve dhe godinave te të cilat u shuan 50 jetë njerëzore.